Nexhmedin Berisha nuk e ka harruar kurrë trajtimin mjekësor që mori në Krumë të Hasit, ku, 27 vjet më parë, u dërgua pasi u plagos në malet e Pashtrikut.
Objekti i xhamisë, me vendim të Shtabit të Përgjithshëm dhe në bashkëpunim me institucionet shqiptare, gjatë luftës së UÇK-së ishte shndërruar në Spital Ushtarak, ku u trajtuan mijëra luftëtarë të plagosur.
“Jam plagosur në kufi dhe për dy javë jam trajtuar në këtë spital nga një staf i mrekullueshëm. Ishin të paktë në numër, por profesionistë të zotë. Falë angazhimit të këtij spitali, sot shumë prej tyre vazhdojnë të jetojnë”, tha Nexhmedin Berisha, invalid i luftës së UÇK-së.
Në shenjë mirënjohjeje për kontributin e jashtëzakonshëm të banorëve të Krumës së Hasit, të cilët u bënë streha dhe mbështetja e parë për luftëtarët e lirisë dhe mijëra civilë të dëbuar nga lufta në Kosovë, në objektin e Xhamisë së Krumës u vendos sot një pllakë përkujtimore. Nisma për këtë përkujtimore erdhi nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, dega në Has.
“Kjo pllakë nuk është vetëm një shenjë kujtimi. Ajo është dëshmi e një kohe, e një sakrifice dhe e një humanizmi që nuk harrohen kurrë. Ne që vepruam këtu gjatë atyre ditëve, e kemi parë jetën duke u shuar, e kemi parë jetën duke lindur, por, mbi të gjitha, kemi parë rrezet e lirisë që po ndriçonin qiellin e Kosovës”, tha Hoxhë Refik Murati, ish-myfti i Xhamisë së Krumës.
“Ekipi i parë i mjekëve është udhëhequr nga prof. dr. Hatim Baxhaku, dr. Rafet Abazi dhe dr. Rahim Ymeri. Na kanë ndihmuar banorët e Krumës, për çka do t’u jemi gjithmonë mirënjohës”, tha Dr. Hysni Hoxha, koordinator i Spitalit Ushtarak në Krumë.
Gjatë viteve 1998-1999, në këtë objekt fetar kaluan dhe qëndruan nga një orë deri në gjashtë muaj më shumë se 70 mijë njerëz të dëbuar nga lufta në Kosovë. Ndërkaq, familja e fundit e strehuar në këtë qendër u largua në gusht të vitit 1999.
Burimi: RTKLive
