
Një i ri me origjinë shqiptare ka mbetur i vrarë gjatë një operacioni të forcave të policisë italiane në zonën e San Pietro di Cavarzere, në provincën e Venecias. Ndërkohë, një person tjetër, i cili dyshohet se është i armatosur, ka arritur të largohet dhe ndodhet në arrati.
Ngjarja ndodhi pasditen e së premtes, më 27 nëntor, kur efektivë të Policisë së Shtetit italian ndërmorën një operacion për arrestimin e dy personave që dyshohej se ndodheshin në një banesë në zonë.
Sipas informacioneve paraprake, sapo efektivët mbërritën në banesë për të kryer arrestimin, dy personat hapën zjarr ndaj tyre në përpjekje për t’u larguar. Kjo shkaktoi një shkëmbim zjarri mes tyre dhe policisë, që dyshohet se zgjati për disa minuta.
Gjatë përplasjes, njëri prej personave të kërkuar, me kombësi shqiptare, mbeti i vrarë, ndërsa tjetri arriti të largohej nga vendngjarja.
Policia italiane ka nisur një operacion të gjerë për kapjen e personit në arrati, i cili raportohet se është i armatosur.
Në zonë janë dislokuar patrulla të shumta policore, ndërsa autoritetet vijojnë kontrollet për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar.
Deri më tani nuk janë bërë të ditura detaje të tjera mbi identitetin e personave të përfshirë apo rrethanat e plota të ngjarjes.
Burimi: Insajderi