Aktori i njohur kosovar, Astrit Kabashi, ka shënuar një sukses të veçantë në karrierën e tij artistike, duke u nderuar me çmimin “Bekim Fehmiu” për aktorin më të mirë në kuadër të Festivalit të Filmit Autorial në Beograd.
Çmimi i themeluar këtë vit në kryeqytetin serb i është ndarë Kabashit për interpretimin e tij në filmin “Shame and Money”, duke shënuar një moment historik, pasi ai bëhet artisti i parë kosovar që merr këtë vlerësim në Beograd.
Një detaj i veçantë i këtij çmimi është se për laureatin vendos aktori Uliks Fehmiu, i biri i legjendës së kinematografisë, Bekim Fehmiu, emrin e të cilit mban edhe çmimi.
Lajmin e gëzueshëm Kabashi e ka ndarë edhe me ndjekësit e tij në Facebook, ku ka publikuar një fotografi nga momenti i pranimit të çmimit, duke shprehur mirënjohjen për këtë vlerësim.
“Jam vërtet i nderuar të ndaj me ju lajmin se kam marrë çmimin ‘Bekim Fehmiu’ për aktorin më të mirë në Festivalin e Filmit Autorial”, ka shkruar aktori.
Ky vlerësim merr një domethënie të veçantë edhe për faktin se vjen në një vit kur në Kosovë është shuar një çmim që mbante emrin e Bekim Fehmiut, ndërsa në Beograd është themeluar një çmim i ri në nderim të figurës së tij.
Për Astrit Kabashin, ky çmim përfaqëson një tjetër sukses në rrugëtimin e tij artistik, ndërsa për kinematografinë kosovare shënon një arritje të rëndësishme në një festival ndërkombëtar. /Telegrafi/