Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas ndalimit të punimeve për vendosjen e muralit të Nënë Terezës në kryeqytet, duke kërkuar nga Policia e Kosovës sqarime për bazën ligjore të ndërhyrjes dhe identifikimin e personit që sipas Ramës, ka dhënë urdhrin për ndalimin e punimeve.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se Komuna e Prishtinës kishte dhënë lejen për vendosjen e muralit.
“Sonte u pengua vendosja e muralit të Nënë Terezës në Prishtinë. Komuna e Prishtinës, që lëshon lejet për hapësirat publike në kryeqytet, e kishte dhënë lejen për vendosjen e muralit”, ka shkruar Rama.
Rama ka pretenduar se, sipas asaj që i është thënë nga Policia, urdhri për ndalimin e punimeve kishte ardhur “nga lart”.
“Policia duhet ta sqarojë publikisht këtë deklaratë, ta identifikojë personin që dha urdhrin dhe ta bëjë publik vendimin mbi të cilin veproi! Kush është ‘lart’ në Kosovë? Kush mund ta ndalë me një fjalë goje një punë për të cilën Komuna ka dhënë leje?”, ka shkruar Rama.
Kryetari i Prishtinës ka kërkuar llogari nga Policia e Kosovës, duke ngritur një sërë pyetjesh lidhur me ndalimin e punimeve.
“Me çfarë vendimi u ndalua vendosja e muralit të Nënë Terezës? Mbi cilën bazë ligjore? Kush e kërkoi ndërhyrjen e Policisë? Kush e urdhëroi Policinë? Kush bëri presion politik mbi Policinë?”, ka shkruar Rama.
Ndërkaq, Ministria e Ekonomisë, përmes një reagimi, ka bërë të ditur se punimet janë ndaluar pas vendimit të Prokurorisë për pezullimin e tyre, duke theksuar se objekti ku ishte paraparë vendosja e muralit nuk është në pronësi dhe as në menaxhim të Komunës së Prishtinës.
Burimi: RTKLive
