Ministria e Ekonomisë: Komuna e Prishtinës kundërligjshëm tentoi ta vendoste muralin e Nënës Terezë, policia ndërhyri

Ministria e Ekonomisë: Komuna e Prishtinës kundërligjshëm tentoi ta vendoste muralin e Nënës Terezë, policia ndërhyri

Written by

in

Ministria e Ekonomisë ka reaguar lidhur me atë që e cilëson ndërhyrje në murin e jashtëm të objektit të saj, ku është planifikuar realizimi i një vepre artistike kushtuar Nënë Terezës, duke akuzuar Komunën e Prishtinës për veprime të njëanshme dhe të kundërligjshme.

Në reagimin e saj, Ministria pretendon se Komuna e Prishtinës ka dhënë pëlqim për realizimin e projektit në një objekt që nuk është në pronësi dhe as në menaxhim të saj, pa konsultuar apo njoftuar paraprakisht institucionet përgjegjëse.

Sipas Ministrisë, Drejtoria e Shërbimeve Publike e Komunës së Prishtinës, më 28 shtator 2026, ka lëshuar pëlqim për realizimin e projektit, të cilin e cilëson si të kundërligjshëm dhe të panënshkruar nga drejtori i kësaj drejtorie.

Ministria pretendon se më 20 nëntor, në orën 09:17, përfaqësuesit e Komunës, përmes një kontraktori privat, kanë ndërhyrë në objekt pa vendosur masa mbrojtëse, duke rrezikuar sigurinë e qytetarëve dhe duke shkaktuar dëme materiale.

Në kuadër të këtyre ndërhyrjeve, sipas Ministrisë, është larguar edhe baneri informues i saj.

Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se, pavarësisht vendimit të Prokurorisë për pezullimin e punimeve, përfaqësuesit e Komunës kanë tentuar t’i vazhdojnë ato edhe të premten, më 27 nëntor, në orën 06:00 të mëngjesit.

Sipas njoftimit, për këtë veprim Ministria ka njoftuar Policinë e Kosovës, e cila ka ndërhyrë në vendin e ngjarjes dhe ka ndaluar punimet.

Ministria ka kërkuar nga Komuna e Prishtinës respektimin e vendimit të Prokurorisë deri në përfundimin e hetimeve dhe marrjen e një vendimi përfundimtar gjyqësor.

Megjithatë, Ministria ka theksuar se nuk ka asnjë kundërshtim ndaj realizimit të veprës artistike kushtuar Nënë Terezës.

“Çështja në fjalë nuk ka të bëjë me përmbajtjen e veprës artistike, por me mënyrën e ndërmarrjes së veprimeve nga Komuna e Prishtinës përmes kontraktuesve, mungesën e komunikimit dhe koordinimit ndërinstitucional, dëmin e shkaktuar ndaj institucioneve shtetërore, si dhe respektimin e vendimeve të organeve kompetente”, thuhet në reagim.

Në fund, Ministria u ka bërë thirrje mediave që raportimin për këtë çështje ta mbështesin në fakte dhe informacione të verifikuara, duke shmangur, siç është shprehur, keqinterpretimet dhe dezinformimin e opinionit publik.