Mbrojtja e Thaçit kërkon më shumë kohë për ankesë ndaj dënimit me 17 muaj burgim

Mbrojtja e Thaçit kërkon më shumë kohë për ankesë ndaj dënimit me 17 muaj burgim

Written by

in

Mbrojtja e Thaçit kërkon më shumë kohë për ankesë ndaj dënimit me 17 muaj burgim

Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, u është drejtuar Dhomave të Specializuara në Hagë me kërkesë për shtyrjen deri më 18 janar 2027 të afatit për paraqitjen e njoftimit për ankesë ndaj aktgjykimit me të cilin ai u dënua me 17 muaj burgim në rastin për pengim të administrimit të drejtësisë.

Kërkesa është dorëzuar më 25 nëntor nga avokatja Sophie Menegon, e cila ka paraqitur disa arsye për shtyrjen e afatit, përfshirë kompleksitetin e aktgjykimit, angazhimet e ekipit mbrojtës në një proces tjetër gjyqësor dhe mungesën e përkthimit të vendimit në gjuhën shqipe.

Aktualisht, mbrojtja ka afat deri më 17 dhjetor për ta dorëzuar njoftimin për ankesë, por kërkon edhe 32 ditë shtesë, duke propozuar që afati i ri të jetë 18 janari 2027.

Një ndër arsyet kryesore të paraqitura në kërkesë është vëllimi dhe kompleksiteti i aktgjykimit, i cili përbëhet nga 399 faqe. Sipas mbrojtjes, vendimi përmban çështje të ndërlikuara juridike dhe faktike që kërkojnë shqyrtim të hollësishëm para përgatitjes së ankesës.

Avokatët theksojnë se Thaçi ishte në qendër të çështjes së Prokurorisë, ndaj përgatitja e ankesës kërkon analizimin e pothuajse të gjitha gjetjeve të Gjykatës, përfshirë edhe ato që lidhen me veprimet e të bashkëakuzuarve.

Një tjetër pengesë, sipas mbrojtjes, është mungesa e përkthimit të aktgjykimit në shqip.

Dokumenti prej 399 faqesh është dorëzuar në anglisht, ndërsa mbrojtja pretendon se mungesa e versionit shqip ia kufizon Thaçit mundësinë për ta shqyrtuar vendimin dhe për të marrë pjesë në mënyrë kuptimplote në përgatitjen e ankesës.

Avokatët argumentojnë se kjo çështje lidhet drejtpërdrejt me të drejtën e të akuzuarit për një proces të drejtë dhe për kohë të mjaftueshme për përgatitjen e mbrojtjes.

Mbrojtja ka përmendur gjithashtu angazhimin paralel të ekipit ligjor në procesin tjetër ndaj Thaçit, të njohur si rasti 06, ku po zhvillohen procedurat e apelit.

Sipas kërkesës, disa prej avokatëve dhe anëtarëve të ekipit mbrojtës janë të përfshirë në të dyja çështjet, ndërsa afatet e afërta krijojnë vështirësi në përgatitjen e dokumenteve juridike.

Si arsye shtesë është përmendur edhe pushimi dimëror gjyqësor, i cili fillon pak ditë pas përfundimit të afatit aktual dhe zgjat deri më 8 janar 2027.

Mbrojtja vlerëson se këto rrethana, të marra së bashku, e arsyetojnë shtyrjen e afatit deri më 18 janar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali