Vija ndarëse në tabletë nuk nënkupton gjithmonë se ajo mund të ndahet në dy doza të barabarta
Shumë njerëz i ndajnë tabletat përgjysmë për të marrë një dozë më të vogël të barit ose për ta gëlltitur më lehtë. Megjithatë, ky veprim në dukje i padëmshëm mund të ndikojë në efikasitetin dhe sigurinë e terapisë.
Sipas Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA), jo të gjitha tabletat janë të përshtatshme për ndarje, pasi ky veprim mund të ndryshojë dozën e marrë, mënyrën dhe shpejtësinë e çlirimit të substancës aktive.
Çfarë nënkupton në të vërtetë vija ndarëse në tabletë?
Prania e vijës ndarëse në tabletë nuk garanton domosdoshmërisht se ajo mund të ndahet në dy doza të barabarta.
Në disa raste, kjo vijë shërben vetëm për të lehtësuar gëlltitjen, çka nënkupton se të dyja gjysmat duhet të merren së bashku për të siguruar dozën e përshkruar.
Këtë dallim e përcakton edhe Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) në udhëzimet e saj për format farmaceutike, përcjell Telegrafi.
pixabay
Cilat tableta nuk duhet të ndahen përgjysmë?
Kujdes i veçantë kërkohet me:
- Tabletat me çlirim të zgjatur të substancës aktive (XR, ER, SR, CR);
- Tabletat me çlirim të vonuar (DR);
- Tabletat me veshje gastrorezistente, e cila i mbron nga acidi i stomakut;
- Tabletat për të cilat kërkohet saktësi e lartë e dozimit.
Ndarja e papërshtatshme e këtyre tabletave mund të shkaktojë çlirimin tepër të shpejtë të substancës aktive, ndryshimin e efektit terapeutik ose rritjen e rrezikut të efekteve anësore.
Ato nuk duhen ndarë pa konfirmuar se një veprim i tillë lejohet shprehimisht në udhëzimin e barit.
Si t’i ndani tabletat në mënyrë të sigurt?
Nëse ndarja e tabletës lejohet, rekomandohet përdorimi i një prerësi të posaçëm për tableta, i cili mundëson ndarje më të saktë.
FDA këshillon gjithashtu që të mos i ndani paraprakisht të gjitha tabletat e një paketimi, pasi ekspozimi ndaj lagështisë dhe nxehtësisë mund të ndikojë në qëndrueshmërinë e tyre.
Përpara se ta ndani një tabletë përgjysmë, lexoni me kujdes fletudhëzimin dhe konsultohuni me mjekun ose farmacistin.
Mos e ndryshoni asnjëherë dozën e përshkruar me iniciativën tuaj, edhe nëse tableta ka vijë ndarëse. /Telegrafi/