29 vjet nga dalja e parë publike e UÇK-së

29 vjet nga dalja e parë publike e UÇK-së

Written by

in

29 vjet nga dalja e parë publike e UÇK-së

Sot shënohen 29 vjet nga dita kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) doli për herë të parë publikisht në skenë, duke shënuar një kthesë historike në rezistencën e armatosur për çlirimin e vendit.

Ishte 28 nëntori i vitit 1997, kur në fshatin Llaushë të Skenderajt, gjatë ceremonisë së varrimit të mësuesit Halit Geci, i vrarë nga forcat serbe.

Para mijëra qytetarëve u shfaqën tre pjesëtarë të UÇK-së me uniforma ushtarake dhe maska: Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi.

Ky moment historik ndodhi në një periudhë tensionesh të larta politike dhe përshkallëzimi të dhunës së regjimit serb, vetëm pak muaj para shpërthimit të luftës frontale të vitit 1998.Para masës së tubuar në Llaushë, fjalimin e rastit e kishte lexuar Rexhep Selimi, i cili e zyrtarizoi publikisht praninë dhe misionin e UÇK-së për çlirimin e Kosovës.

Fjalimi i plotë i lexuar më 28 nëntor 1997 në Llaushë:

“Vëllezër dhe motra, nëna dhe baballarë, të afërm të vëllait tonë Halit Gecaj! Në emër të Ushtrisë për çlirimin e Kosovës u shprehim ngushëllime të sinqerta dhe ju njoftojmë se e ndajmë dhembjen me ju. Populli shqiptar në trojet e veta, këtu në Kosovën e robëruar, nëpër vite e dekada ka provuar mbi supet e veta shtypjen dhe dhunën më çnjerëzore nga pushtuesit serbë. Na u vranë, na u burgosën e na u masakruan bijtë dhe bijat më të mira të popullit tonë të pambrojtur. Një nga këto veprime të dhunës së territorit serb është edhe vrasja e mësuesit tonë të nderuar Halit Gecaj nga Llausha, si dhe vrasja barbare e Ismet Gjocajt nga Deçani. Vrasje, dhunë, diskriminime e terror shtriu mbi këtë popull pushtuesi serb. Ai vrau fëmijë, të rinj, mësues nëpër shkolla, bujq nëpër ara. Vrau ç’nuk vrau. Po një ditë nga gjiri i këtij populli lindi Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si e vetmja forcë serioze për realizimin e idealeve dhe aspiratave të popullit tonë për bashkimin tonë kombëtar. Në radhët e kësaj ushtrie radhiten bijtë dhe bijat më të mirë të popullit, ata që jetën ia kushtuan lirisë. UÇK-ja ka katër vite që u vu në ballë të luftës për çlirimin e Kosovës. Ka ndërmarrë disa aksione çlirimtare kundër pushtuesve nëpër pikat më të ndjeshme të tij si dhe kundër bashkëpunëtorëve të tij shqipfolëse, kolaboracionistëve. Grushti i drejtësisë, grushti i forcës, grushti i popullit do të bjerë mbi ta. Mbi cilindo që merr guximin të shkelë idealet e shenja të popullit tonë. Lufta jonë e shenjtë do të zhvillohet deri në çlirim, deri në bashkimin tonë kombëtar. Një nga përpjekjet tona kundër armikut ishte edhe beteja e para do ditshme në fshatrat e Drenicës. Aty armiku pati dëme të mëdha materiale dhe në njerëz, prandaj u detyrua të tërhiqej kokulur. Në pamundësi t’ju vihet përballë forcave tona, vrau njerëz të pafajshëm, shtiu mbi shtëpi e shkolla. Vëllezër, në skenën tonë politike kanë dalë mjaft parti politike e shoqata të cilat flasin gjoja në emër të mbrojtjes së interesave të popullit. Disa prej tyre mundohen ta degradojnë luftën tonë të shenjtë me qëndrimin e tyre pacifistë. Atyre u themi mjaft! Mjaft se një ditë do t’ju mallkojë historia! Gjaku i të rënëve le të na bëhet urë që do të na bashkojë të gjithëve rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të na bashkojë të gjithëve në luftën për çlirimin e Kosovës se vetëm kështu trojet tona do ta shohin dritën e lirisë.

“Lavdi të rënëve për liri!” .

Dalja publike e UÇK-së në Llaushë mbetet një nga ngjarjet më emblematike të historisë së re të Kosovës, e cila u shndërrua në pikë kthese vendimtare drejt lirisë dhe pavarësisë së vendit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

Burimi: Sinjali