
Sot shënohen 114 vjet nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë. Më 28 nëntor 1912, në Vlorë, përfaqësues të viseve shqiptare shpallën Pavarësinë e Shtetit Shqiptar nga Perandoria Osmane, duke shënuar një nga momentet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar.
Kuvendi Kombëtar i Vlorës mbajti mbledhjen e tij të parë më 28 nëntor 1912, ku u shpall zyrtarisht Pavarësia e Shqipërisë. Ky akt ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore dhe i luftërave të pareshtura të shqiptarëve për çlirimin e vendit dhe krijimin e shtetit të tyre.
Pas shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912, u formuan edhe organet e para shtetërore, Pleqësia dhe Qeveria e dalë nga Kuvendi i Vlorës. Gjithashtu, u ngritën forcat e armatosura dhe ato të rendit, ndërsa nisi puna për konsolidimin e arsimit, shëndetësisë, administratës dhe institucioneve të tjera shtetërore.
Qeveria e Vlorës hodhi themelet e para për krijimin e një sistemi gjyqësor sipas modeleve evropiane. Gjuha shqipe u shpall gjuhë zyrtare, ndërsa u vendos hapja e shkollave shqipe nga vjeshta e vitit 1914.
Ndër aktet më të rëndësishme juridike të nxjerra nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës ishte “Kanuni i përkohshëm i administratës civile të Shqipërisë”, i botuar në nëntor të vitit 1913.
Po ashtu, Kuvendi Kombëtar i Vlorës zgjodhi Pleqësinë, e cila kishte për detyrë të ushtronte funksionet e një organi këshillues dhe mbikëqyrës të qeverisë, me Vehbi Agollin në krye.