Reshje intensive, dëborë dhe rrezik për përmbytje në disa qarqe në Shqipëri

Reshje intensive, dëborë dhe rrezik për përmbytje në disa qarqe në Shqipëri

Written by

in

Moti këtë të shtunë, 28 nëntor 2026, do të karakterizohet nga reshje shiu me intensitet të lartë në disa zona të vendit, ndërsa në zonat malore pritet edhe dëborë.

Sipas parashikimit, reshjet më intensive do të përqendrohen në qarkun e Vlorës, ku lokalisht mund të arrijnë intensitet shumë të lartë. Situatë me reshje mesatare deri lokalisht intensive pritet edhe në qarqet Berat, Korçë dhe Gjirokastër.

Ndërkohë, në Elbasan dhe Fier parashikohen reshje mesatare, të shoqëruara me shtrëngata, ndërsa në pjesën tjetër të territorit reshjet do të jenë kryesisht të dobëta deri mesatare.

Në verilindje, lindje dhe juglindje, në lartësitë mbi 500 metra mbi nivelin e detit, reshjet do të jenë në formën e dëborës.

Shqetësuese paraqitet situata në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër, ku intensiteti i lartë i reshjeve mund të sjellë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë, rrëshqitje dherash dhe përmbytje të lokalizuara në zonat urbane. Rreziku për këto të fundit do të varet edhe nga gjendja e sistemit të kanalizimeve.

Gjithashtu, pritet të ketë rritje të prurjeve në lumenjtë Shkumbin, Seman dhe Vjosë.

Sa i përket temperaturave, në zonat bregdetare ato do të luhaten nga 10 deri në 14 gradë Celsius, në zonat e ulëta nga 8 deri në 14 gradë, ndërsa në zonat malore nga 2 deri në 10 gradë Celsius.

Era do të fryjë me intensitet të lehtë deri mesatar, por në bregdet dhe në zonat malore herë pas here mund të arrijë intensitet të fortë. /tch/