Prania e policëve civilë të maskuar në mesin e protestuesve gjatë grevës së të rinjve në Cyrih të Zvicrës ka shkaktuar reagime dhe kritika, ndërsa disa këshilltarë komunalë kanë kërkuar sqarime zyrtare nga autoritetet për këtë operacion.
Gjatë protestës së mbajtur më 20 nëntor, ku morën pjesë mijëra të rinj kundër armatosjes dhe masave të kursimit, në mesin e demonstruesve u panë edhe persona të veshur me të zeza, me fytyra të mbuluara dhe rroba civile, të cilët dyshohet se ishin pjesëtarë të policisë.
Sipas raportimeve të medias zvicerane 20Minuten, disa prej tyre mbanin syze mbrojtëse, ndërsa të paktën njëri kishte me vete edhe shkop policor.
Prania e tyre shkaktoi tensione me protestuesit, ndërsa në disa momente pati përplasje që çuan në ndërhyrjen e policëve me uniformë, të cilët përdorën gaz lotsjellës dhe municion gome.
Policia e qytetit të Cyrihut e ka konfirmuar se pjesëtarë civilë ishin angazhuar gjatë protestës, duke shpjeguar se një praktikë e tillë përdoret në tubime ku ekziston mundësia e dhunës.
Sipas autoriteteve, detyra e tyre ishte identifikimi dhe arrestimi i personave që paraqisnin rrezik për sigurinë publike, ndërsa kanë mohuar pretendimet se policët kanë nxitur tensione apo kanë provokuar demonstruesit.
Gjatë protestës, katër persona u arrestuan për pengim të veprimeve zyrtare të policisë, ndërsa 29 të tjerë u shoqëruan përkohësisht në stacion për verifikime të mëtejshme. Sipas policisë, rreth 60 persona u larguan nga zona e demonstratës.
Rasti ka nxitur reagimin edhe në Këshillin Komunal të Cyrihut.
Këshilltarët Yves Henz nga të Gjelbrit, Moritz Bögli nga Lista Alternative dhe Lara Can nga Partia Socialdemokrate kanë dorëzuar një kërkesë zyrtare, duke kërkuar nga Këshilli i Qytetit të sqarojë bazën ligjore të këtij operacioni, numrin e policëve të angazhuar, pajisjet që kanë mbajtur dhe urdhrat e dhënë për ndërhyrjen.
Ata kërkojnë gjithashtu sqarime nëse policët civilë janë maskuar edhe gjatë natës së Halloween-it në lagjen Langstrasse dhe nëse kanë pasur me vete mjete piroteknike.
Kërkesa përfshin edhe pyetjen se në cilat protesta të tjera në Cyrih, që nga viti 2023, janë angazhuar policë civilë të maskuar ose të kamufluar si demonstrues.
Autoritetet e qytetit pritet t’u përgjigjen pyetjeve të këshilltarëve deri më 3 mars 2027. Ndërkohë, debati në Zvicër vazhdon të përqendrohet te kufijtë e ndërhyrjes së policisë civile dhe transparenca e operacioneve të tilla gjatë protestave publike./Telegrafi/