Përplasje mes Ramës dhe Policisë për mozaikun e Nënë Terezës: “Vazhdo punën!”

Përplasje mes Ramës dhe Policisë për mozaikun e Nënë Terezës: “Vazhdo punën!”

Written by

in

Përplasje mes Ramës dhe Policisë për mozaikun e Nënë Terezës: “Vazhdo punën!”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama është përfshirë në një debat me zyrtarë të Policisë së Kosovës lidhur me ndërprerjen e punimeve në mozaikun kushtuar Nënë Terezës.

Në një konferencë për media, Rama ka akuzuar Qeverinë për bllokimin e këtij projekti, duke kërkuar që punimet të vazhdojnë.

Në një moment, Rama i është drejtuar komandantit me fjalët: “Qitu ma keni pru. Vazhdo punën!”.

Komandanti i policisë i është përgjigjur se kushdo që vazhdon punimet do të arrestohet.

“Kushdo që e vazhdon punën arrestohet. Edhe tani çka ndodh?”, ka thënë ai.

Rama ka kërkuar më pas sqarime se në bazë të cilit vendim po pengohej vazhdimi i punimeve dhe ka kërkuar paraqitjen e urdhrit të prokurorit.

“E në bazë të çfarë vendimi po arrestoni njerëz? Ama urdhrin e prokurorit, kështu, këtu qite urdhrin e prokurorit këtu”, ka deklaruar Rama.

Sipas KosovaPress, në debat është përfshirë edhe drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prishtinës, Leutrim Retkoceri, i cili ka shpjeguar se, sipas tij, prokurori kishte kërkuar që Ministria të njoftohej edhe një herë dhe t’i jepej afat deri në orën 14:00 për të kthyer përgjigje.

Retkoceri ka thënë se Ministria nuk kishte kthyer përgjigje brenda afatit dhe se dokumentacioni për vazhdimin e punimeve ishte i kompletuar.

“Prokurori ka thënë njoftoni edhe njëherë Ministrinë; deri në ora 2:00 e kanë pasur me na kthy përgjigje. S’kanë kthy përgjigje. Krejt dokumentet janë me vazhdu punimet. Komandant, le të vazhdojnë”, ka deklaruar Retkoceri.

Nga ana tjetër, komandanti i policisë ka thënë se zyrtarët komunalë janë përgjegjës për punimet, por se ato nuk mund të vazhdohen nga persona të tjerë.

Retkoceri ka kërkuar që t’i bëhet e ditur se kush i posedon dokumentet përkatëse, ndërsa komandanti ka deklaruar se prokurori me të cilin kishte komunikuar një ditë më parë kishte dhënë udhëzim që punimet të mos vazhdonin.

Në fund, Retkoceri ka kundërshtuar veprimin e policisë, duke kërkuar që urdhri të paraqitet me shkrim.

“Merre urdhrin me shkrim, komandant. Mos merrni urdhra politikë. Alban Krasniqi ju ka urdhëru mi ndal punimet. Po mos bini se jeni Policia e Kosovës”, ka thënë Retkoceri.