Ushtria amerikane ka goditur një anije tregtare në Gjirin e Omanit, pasi ekuipazhi i saj nuk iu bind paralajmërimeve për të ndaluar lundrimin. Pas sulmit, anija është nxjerrë jashtë funksionit, ndërsa SHBA-ja ka publikuar edhe pamjet e momentit të goditjes.
Komanda Qendrore e Ushtrisë Amerikane (CENTCOM) njoftoi se sulmi u krye ndaj anijes Pacific Archer, e cila lundron nën flamurin e Palaut dhe ishte nisur nga porti iranian i Bandar Abbasit.
Sipas autoriteteve amerikane, ekuipazhi kishte marrë disa paralajmërime, por nuk i ishte përgjigjur kërkesës për të ndaluar. Për këtë arsye, një aeroplan ushtarak amerikan goditi pjesën e pasme të anijes, duke dëmtuar sistemin e saj të lëvizjes.
CENTCOM-i bëri të ditur se nga sulmi nuk pati të lënduar në mesin e ekuipazhit civil. Megjithatë, anija mbeti e paaftë për të vazhduar lundrimin.
Autoritetet amerikane nuk kanë dhënë detaje për ngarkesën që transportonte anija apo destinacionin e saj.
Ngjarja ndodh në kuadër të zbatimit të bllokadës detare amerikane ndaj Iranit, përmes së cilës Uashingtoni synon të pengojë lëvizjen e anijeve që transportojnë mallra drejt dhe nga portet iraniane.
Më 18 nëntor, autoritetet amerikane kishin zgjeruar kriteret për zbatimin e kësaj bllokade, duke paralajmëruar se shkelje mund të konsiderohet edhe marrja e ngarkesave në det të hapur, nëse ato paraprakisht janë ngarkuar në Iran.
Ndërkohë, presidenti amerikan, Donald Trump, e ka cilësuar bllokadën si më të suksesshmen në historinë e SHBA-së.
Sulmi ndaj Pacific Archer vjen në një periudhë tensionesh të vazhdueshme në rajon, veçanërisht rreth Ngushticës së Hormuzit, një prej korridoreve më të rëndësishme detare për transportin global të naftës. /Telegrafi/