KlanKosova FM shënon 5-vjetorin, pesë vite zë, informim dhe argëtim

KlanKosova FM shënon 5-vjetorin, pesë vite zë, informim dhe argëtim

Written by

in

KlanKosova FM shënon 5-vjetorin, pesë vite zë, informim dhe argëtim

KlanKosova FM shënon pesë vjet nga krijimi.

E themeluar më 28 nëntor 2021, KlanKosova FM gjatë këtyre viteve është zhvilluar me emisione dhe përmbajtje të ndryshme për dëgjuesit.

Rrugëtimi i radios nisi me synimin për të sjellë një programacion të larmishëm, duke ndërthurur aktualitetin, informacionin, muzikën dhe argëtimin.

Pesë vite më vonë, KlanKosova FM vazhdon të jetë pranë dëgjuesve përmes një skeme programore që përfshin emisione të drejtpërdrejta, rubrika tematike dhe edicione informative.

Programi i mëngjesit nis me Arientin Abdylin – Arin, ndërsa një hapësirë të veçantë në programacion zë emisioni “Fol me Arin”, i cili udhëhiqet nga Arienti Abdylin dhe Artina Breznica.

Përmes komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët, emisioni trajton shqetësimet e tyre, përcjell kërkesat te institucionet përgjegjëse dhe synon të kontribuojë në zgjidhjen e problemeve të përditshme.

Nga ora 12:00 deri në 14:00, Dafina Jegeni Krasniqi dhe Rilind Matoshi sjellin emisionin “Dita N’Klan”, duke përcjellë informacione, aktualitete dhe përmbajtje të ndryshme për dëgjuesit.

Kuriozitetet, faktet interesante dhe rrëfimet e veçanta janë pjesë e emisionit “Rrugëve”, me Hana Selimin.

Ndërkaq, një prej risive të këtij viti është “Hallakama”, emision që ka sjellë në radio dy emra të rinj, Blerina Shoshin dhe Lorik Kajtazin.

Muzika zë një vend të rëndësishëm në programacionin e KlanKosova FM. Përmes emisionit “SoundUp”, Genta Qerimi prezanton zhanre të ndryshme muzikore, duke i dhënë secilës ditë një veçanti. Ndërsa Agnesa Demaj sjell histori nga jeta dhe karriera e artistëve, të shoqëruara me muzikën e tyre.

Pjesë e rëndësishme e radios janë edhe edicionet informative, të cilat përcjellin zhvillimet dhe ngjarjet kryesore të ditës. Lajmet mund të ndiqen çdo orë, nga ora 08:00 deri në 22:00, me angazhimin e prezantueseve Dafina Jegeni Krasniqi, Arbëresha Kelmendi, Artina Breznica, Anita Toçani dhe Blerina Doshlaku.

Edhe fundjavat në KlanKosova FM karakterizohen nga përmbajtje të veçanta. “Sunshine”, me Blerina Doshlakun, sjell intervista dhe informacione për dëgjuesit, ndërsa “Special One”, me Arbëresha Kelmendin, sjell rrëfime, histori dhe suksese të personaliteteve nga bota e artit dhe fusha të tjera.

Meritë për realizimin e përditshëm të emisioneve kanë edhe pjesëtarët e stafit teknik, Fidan Syla, Rinis Shabija dhe Fitim Namani, të cilët me angazhimin e tyre mundësojnë mbarëvajtjen dhe transmetimin e programacionit të KlanKosova FM.

Në këtë pesëvjetor, një vend të veçantë në historinë e KlanKosova FM zë edhe Astrit “Titi” Dushi, i cili nuk jeton më. Si koordinatori i parë i radios, ai ishte pjesë e rëndësishme e themelimit dhe zhvillimit të saj. Kontributi dhe trashëgimia e tij profesionale mbeten pjesë e pandashme e historisë së KlanKosova FM.

Pesë vite pas themelimit, KlanKosova FM vazhdon rrugëtimin me një programacion që ndërthur informimin, aktualitetin, muzikën dhe argëtimin, falë punës së një ekipi që çdo ditë angazhohet për të qenë pranë dëgjuesve.

Në këtë përvjetor, KlanKosova FM shpreh mirënjohjen për të gjithë dëgjuesit që kanë qenë pjesë e këtij rrugëtimi, duke i falënderuar për besimin dhe përkrahjen ndër vite.