
Këngëtarja e njohur Shkurte Fejza, e cila ndër vite është shquar edhe për këngët e saj patriotike, ka folur për rëndësinë e 28 Nëntorit dhe emocionet që kjo festë zgjon tek shqiptarët dhe tek ajo personalisht.
Në emisionin “Weekend” në Klan Kosova, së bashku me vajzën e saj, këngëtaren Gresa Behluli, ndanë mesazhet e tyre me rastin e Ditës së Flamurit.
Shkurte Fejza e cilësoi 28 Nëntorin si një nga datat më të rëndësishme të historisë shqiptare, duke theksuar rëndësinë e saj për pavarësinë e Shqipërisë dhe rrugën drejt lirisë së Kosovës.
“Kjo është një datë që shqiptarët i ka bekuar Zoti me këtë datë. Është 28 Nëntori, është gurthemeli i qenësisë sonë, është gurthemeli i Pavarësisë së Shqipërisë, e cila ajo Shqipëri bëri pastaj edhe Kosovën e pavarur. Është festa më e rëndësishme dhe më e bukura që ka kombi ynë”, u shpreh ajo.
Këngëtarja tregoi gjithashtu se kjo festë i rikthen kujtimet e pritjes së lirisë së Kosovës dhe emocionet që përjeton tani që vendi është i lirë.
“…Kam emocion sepse më kujtohen momentet kur e kemi pritur para lirisë së Kosovës dhe si e presim tash kur Kosova është e lirë…” – tha mes tjerash Shkurtja.
Edhe vajza e saj, Gresa Behluli, foli për rëndësinë e atdhedashurisë dhe ruajtjen e identitetit kombëtar.
“Për të gjithë ata shqiptarë dhe ata që e duan vendin e vet, kjo besoj është festa më e rëndësishme e jona, pastaj bashkë edhe me shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Është privilegj dhe vlerë të rritesh me ndjenjën t’u e dashtë vendin, t’u u rritë me atdhedashuri, t’u e dashtë gjuhën dhe gjithçka që na përket veç neve”, tha Behluli.
Ajo theksoi se Shqipëria dhe Kosova duhet të ruhen e të duhen nga shqiptarët, duke e cilësuar dashurinë për vendin dhe identitetin kombëtar si vlera që duhet të përcillen te brezat e rinj.