
Policia e Kosovës ka gjetur armatim, municion dhe pajisje të ndryshme ushtarake në një stallë bagëtish në fshatin Parucë të komunës së Zubin Potokut, pas informatave të pranuara nga qytetarët.
Për këtë rast ka folur korrespondenti i Klan Kosovës nga Mitrovica, Urall Boshnjaku, në emisionin “Ora 7”, ku ka treguar për ndërhyrjen e Policisë në dy fshatra të ndryshme të kësaj komune, pas raportimeve për armatim dhe municion në lokacione të pabanuara.
Sipas Boshnjakut, në rastin e parë, Policia ka ndërhyrë në bashkëpunim me ekipet për deminim, pasi kishte marrë informacion se në një stallë bagëtish në fshatin Parucë kishte armatim dhe mjete shpërthyese.
Gjatë kontrollit në këtë lokacion, zyrtarët policorë kanë gjetur mbi 160 fishekë të kalibrave të ndryshëm, katër granata dore, një bajonetë ushtarake, një maskë kundër gazit, si dhe pajisje të tjera ushtarake.
Po ashtu, në stallë janë gjetur edhe gëzhoja të ndryshme që u përkasin armëve të gjata.
Boshnjaku ka bërë të ditur se rastet janë shënuar në dy fshatra të ndryshme të komunës së Zubin Potokut, pas informatave të qytetarëve për praninë e armatimit dhe municionit në vende të pabanuara.
Kurse në rastin tjetër në fshatin Rançiç të Zubin Potokut u gjetën mbi 2 mijë fishekë të kalibrave të ndryshëm.