Ndërhyrjet estetike mund të përmirësojnë disa ndryshime të pamjes që lidhen me moshën, por nuk mund ta ndalin procesin biologjik të plakjes apo të garantojnë rezultate të njëjta për çdo pacient.
Për pritshmëritë joreale ndaj kirurgjisë estetike ka folur kirurgia Violeta Zatriqi në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, i cili është i mbështetur nga United Hospital dhe Qendra Laserike e Syrit “Kubati”.
Ajo shpjegoi se disa paciente kërkojnë ndryshime që nuk janë të realizueshme duke marrë parasysh moshën, cilësinë e lëkurës dhe karakteristikat anatomike.
“Ne kirurgët plastikë nuk jemi shkopi magjik”, ishte mesazhi i saj gjatë diskutimit për kufijtë e ndërhyrjeve estetike.
Zatriqi solli si shembull procedurat për ngritjen e fytyrës, duke theksuar se ato mund të krijojnë një pamje më të freskët, por nuk mund ta bëjnë një person të duket domosdoshmërisht disa dekada më i ri.
Sipas saj, konsultimi para operacionit duhet të përfshijë një shpjegim realist të rezultateve që mund të arrihen.
Ndikimi i rrjeteve sociale, fotografive të përpunuara dhe imazheve të idealizuara mund të krijojë pritshmëri që nuk përputhen me mundësitë e mjekësisë.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin “Shëndeti në rend të parë”:
– YouTube www.youtube.com