
Shkruan: Lularta Buja
Pagat e ulëta, rritja e çmimeve, problemet në shëndetësi dhe sfidat në arsim vazhdojnë të rëndojnë jetën e qytetarëve në Kosovë. Megjithatë, pakënaqësitë ndaj këtyre problemeve nuk po përkthehen në mobilizim të gjerë qytetar. Ndonëse protestat nuk kanë munguar, reagimi shoqëror vazhdon të jetë kryesisht i fragmentuar, i organizuar rreth grupeve të caktuara dhe kauzave të veçanta.
Ndryshe nga disa vende evropiane, ku pakënaqësitë sociale kanë nxitur protesta masive, në Kosovë mobilizimi për çështjet e përditshme mbetet më i kufizuar.
Sipas raportit vjetor të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 160 protesta dhe tubime qytetare, 66.45 për qind më pak se një vit më parë. Megjithatë, numri i tyre nuk pasqyron domosdoshmërisht shkallën e pjesëmarrjes apo nivelin e mobilizimit shoqëror.
Problemet ekonomike mbeten një tjetër shqetësim për qytetarët. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), inflacioni vjetor në tetor 2026 arriti në 7.1 për qind, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit paraprak. Rritjet më të theksuara u regjistruan në transport, me 21.5 për qind, dhe në grupin e banimit, ujit, energjisë elektrike dhe lëndëve djegëse, me 9.7 për qind. Ndërkaq, ushqimet dhe pijet joalkoolike u shtrenjtuan për 3.2 për qind, duke shtuar barrën e shpenzimeve për ekonomitë familjare.
Edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar, në raportin për Kosovën të vitit 2026, ka evidentuar përshpejtimin e inflacionit, të nxitur kryesisht nga çmimet e ushqimeve. Sipas FMN-së, inflacioni arriti në 5.75 për qind në janar 2026, ndërsa rritja reale e pagave në sektorin formal u ngadalësua në vitin 2025 krahasuar me vitin paraprak.
A po bëhet emigrimi njëfarë lloj ‘proteste’ për qytetarët e Kosovës?
Një prej treguesve më domethënës të gjendjes shoqërore në Kosovë është emigrimi. Sipas vlerësimit të popullsisë për vitin 2024, të publikuar nga ASK-ja në qershor 2025, nga Kosova kanë emigruar 37,451 banorë, ndërsa kanë imigruar 9,038. Bilanci i migrimit ndërkombëtar ishte negativ për 28,413 banorë. Këto të dhëna përfshijnë emigrimin për arsye të ndryshme, si punësimi, bashkimi familjar, studimet dhe vendosja afatgjatë jashtë vendit.
Një tjetër pasqyrë ofron hulumtimi i Institutit Kombëtar Demokratik (NDI), i realizuar në prill dhe maj 2026, me 1,200 të anketuar në Kosovë. Sipas rezultateve, 27.5 për qind e qytetarëve deklaruan se do të largoheshin përgjithmonë nga Kosova nëse do ta kishin mundësinë. Te të rinjtë e grupmoshës 18–24 vjeç, kjo përqindje arrin në 44 për qind, ndërsa te grupmosha 25–34 vjeç është 37.1 për qind.
Këto të dhëna nuk nënkuptojnë se të gjithë këta persona do të emigrojnë, por tregojnë se dëshira për t’u larguar është e pranishme te një pjesë e konsiderueshme e popullsisë, veçanërisht te të rinjtë.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, e lidh këtë prirje me mungesën e rezultateve nga protestat dhe grevat e organizuara ndër vite.
“Njerëzit kanë provuar që të bëjnë ‘presione’ përmes pakënaqësive të tyre, përmes protestave, përmes grevave dhe e kanë parë që në shumicën e rasteve nuk kanë pasur rezultate”, u shpreh Azemi për klankosova.tv.
Sipas tij, kërkesat e sindikatave për përmirësimin e gjendjes materiale dhe sociale të punëtorëve dhe qytetarëve nuk po trajtohen me seriozitetin e nevojshëm nga institucionet. Për këtë arsye, largimi nga Kosova po shihet si një mundësi më konkrete për të siguruar kushte më të mira jetese.
Azemi deklaroi se edhe qytetarët që vazhdojnë të jetojnë në Kosovë i shohin përvojat e kolegëve dhe të rinjve që kanë emigruar, duke i krahasuar mundësitë e tyre me jetën që ata kanë krijuar jashtë vendit.
Emigrimi nuk është vetëm çështje ekonomike, por edhe tregues i mënyrës se si qytetarët e perceptojnë të ardhmen e tyre. Kur zgjidhja e problemeve kërkohet individualisht, përmes largimit, organizimi për ndryshime kolektive mund të humbasë një pjesë të potencialit të tij.
Sociologu Albert Mecini për klankosova.tv konsideroi se disa faktorë kanë ndikuar në demobilizimin e përkohshëm të qytetarëve. Sipas tij, zgjedhjet e shpeshta, hiperdiskutimi politik dhe emigrimi i të rinjve kanë ndikuar në zvogëlimin e energjisë shoqërore për reagim ndaj problemeve të përditshme.
“Ka më pak energji sociale dhe motiv për reagim qytetar lidhur me kushtet e jetesës, pagat, nivelin e papunësisë, inflacionin, sigurinë publike etj”, theksoi mes tjerash Mecini për klankosova.tv.
Ai pajtohet se emigrimi, në një masë, mund të konsiderohet alternativë ndaj protestës, megjithatë, sociologu potencoi se emigrimi lidhet edhe me faktorë të gjendjes dhe sigurisë publike në ambientin shoqëror, edukimin, perspektivën për të ardhmen, familjen dhe shkaqe të tjera sociale që jodomosdoshmërisht lidhen me aspekte aktuale të realitetit.
Sipas tij, emigrimi si fenomen është konstant dhe e ka rrjedhën e vet të natyrshme, sado që kjo po e dëmton mobilitetin social në Kosovë, ekonominë dhe zhvillimin e përgjithshëm shoqëror.
Se problemet ekonomike dhe sociale janë shqetësime të rëndësishme për qytetarët dëshmon edhe hulumtimi Public Pulse i Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), i publikuar në korrik 2024. Në sondazhin me 1,306 të anketuar nga të gjitha 38 komunat e Kosovës, varfëria u rendit si shqetësimi kryesor për 16.6 për qind të respondentëve, papunësia për 16.3 për qind, ndërsa çmimet e artikujve bazikë për 12.7 për qind.
Këto rezultate tregojnë se shqetësimet për kushtet bazike të jetesës nuk janë vetëm perceptime individuale, por probleme të identifikuara në nivel shoqëror. Megjithatë, pakënaqësia e shprehur në sondazhe nuk përkthehet automatikisht në pjesëmarrje në protesta.
Një tjetër dimension të problemit e vë në pah për klankosova.tv, Rifat Haxhiaj, profesor i Politikave Sociale në Universitetin e Fribourgut në Zvicër. Sipas tij, humbja e shpresës dhe mungesa e ideve konkrete për ndryshim janë ndër faktorët që e vështirësojnë mobilizimin qytetar.
“Një popull i cili humb shpresën, e ka vështirë të mobilizohet dhe organizohet për të protestuar për kushte më të mira të jetesës”, tha mes tjerash Haxhiaj.
Ai vlerësoi se për një mobilizim të qëndrueshëm nevojitet një bërthamë organizuese që bashkon qytetarët rreth ideve dhe projekteve konkrete, duke shtuar se kjo aktualisht mungon në Kosovë.
Sipas profesorit të politikave sociale, mungesa e zhvillimit ekonomik, gjendja e shëndetësisë dhe rritja e çmimeve ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qytetarëve.
“Në Kosovë mungon perspektiva, dhe kur ajo mungon, popullata mundohet, në mënyrë individuale, për të gjetur zgjidhje sa më pragmatike, qoftë ajo edhe e përkohshme”, u shpreh Haxhiaj për klankosova.tv.
Kosova ka dëshmuar se qytetarët mund të mobilizohen në numër të madh kur një çështje perceptohet si interes i përbashkët. Protestat për çështje kombëtare tregojnë se kapaciteti për organizim qytetar nuk është zhdukur.
Megjithatë, kur bëhet fjalë për pagat, rritjen e çmimeve, shëndetësinë, arsimin dhe çështjet e tjera bazike, reagimi qytetar shpesh mbetet i fragmentuar, i përqendruar në kauza dhe interesa të veçanta, pa arritur të shndërrohet në një mobilizim më të gjerë shoqëror.