Punësimi i kujdestareve të huaja, veçanërisht i grave filipinase, në familjet shqiptare po bëhet gjithnjë e më i dukshëm, kryesisht në Tiranë.
Për këtë fenomen ka raportuar mediumi grek In.gr, duke iu referuar të dhënave të portalit shqiptar Monitor.
Sipas raportimit, prania e kujdestareve filipinase vërehet gjithnjë e më shumë në parqe, kënde lojërash dhe pranë shkollave private, ndërsa punësimi i shtetasve të huaj në sektorin e kujdesit familjar po shndërrohet në një pjesë të re të tregut të punës në Shqipëri.
Deri para disa vitesh, punësimi i të huajve në Shqipëri lidhej kryesisht me sektorët e ndërtimit, industrisë dhe turizmit, ndërsa tashmë edhe shërbimet e kujdesit për fëmijët, të moshuarit dhe punët shtëpiake po tërheqin punëtorë të huaj.
Sipas raportimit, në fund të vitit 2024 në Shqipëri kishte rreth 22 mijë shtetas të huaj me leje qëndrimi, prej të cilëve afërsisht 8.360 ishin gra, transmeton Telegrafi.
Megjithatë, nuk ka të dhëna të sakta se sa prej tyre janë të punësuara në familjet shqiptare, në çfarë kushtesh punojnë dhe sa paguhen.
Fenomeni është trajtuar edhe në një raport të UN Women, i cili vë në pah nevojën për mbledhjen e të dhënave mbi punësimin e grave të huaja në sektorin e kujdesit dhe për garantimin e të drejtave të tyre në punë.
Raporti thekson gjithashtu rrezikun e punësimit informal. Gjatë vitit 2024, punësimi informal në sektorin jobujqësor në Shqipëri përbënte 24.7 për qind, ndërsa punëtorët e angazhuar në shërbimet e kujdesit mund të mbeten pa kontribute pensionale, sigurim shëndetësor dhe mbrojtje në rast të aksidenteve në punë.
UN Women u rekomandon autoriteteve shqiptare të krijojnë mekanizma për evidentimin e punëtorëve të huaj në këtë sektor, si dhe të sigurojnë kushte dinjitoze pune, paga të drejta dhe mbrojtje sociale për ta./Telegrafi/