
Ushtruesja e Detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, e shoqëruar nga bashkëpartiakët, me rastin e shënimit të festës kombëtare të 28 Nëntorit kanë bërë homazhe në Prekaz, te shtatorja e Isa Boletinit, në Kompleksin e Dëshmorëve në Shipol të Mitrovicës dhe në atë në Bletaj të Vushtrrisë, për të nderuar figurat historike dhe sakrificën e atyre që kontribuuan për lirinë e Kosovës.
Nga Prekazi, Çitaku ka riafirmuar rëndësinë e ruajtjes së të vërtetës historike dhe vlerave të luftës çlirimtare.
“Prekazi, Adem Jashari, UÇK-ja janë themelet e lirisë sonë. Kosova e lirë, e pavarur dhe sovrane është kryevepra e komandantit legjendar Adem Jashari”, ka deklaruar Çitaku.
Ajo tha se lufta e UÇK-së për liri nuk mund të cilësohet krim.
“Lufta për liri përfaqëson shkallën më të lartë të vetëdijes. Lufta për liri nuk është krim. Shteti i pavarur i Kosovës nuk është ndërmarrje e përbashkët kriminale”, shtoi Çitaku.
Sipas komunikatës së PDK-së, 28 Nëntori shënon tri ngjarje të rëndësishme të historisë sonë kombëtare: Ditën e Flamurit dhe shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari.
“PDK do ta mbrojë me çdo kusht historinë tonë të lavdishme dhe do të qëndrojë në mbështetje të çlirimtarëve në Hagë, deri në triumfin e drejtësisë dhe lirimin e tyre”, thuhet në komunikatën e PDK-së. /Klankosova.tv