MPB: Gjatë 24 orëve, dhjetëra persona të arrestuar për sulme, vjedhje, drogë dhe dhunë në familje

MPB: Gjatë 24 orëve, dhjetëra persona të arrestuar për sulme, vjedhje, drogë dhe dhunë në familje

Written by

in

Një sërë ngjarjesh kriminale janë regjistruar gjatë 27 dhe 28 nëntorit në disa qytete të vendit. Në mesin e rasteve të raportuara ka sulme në familje, lëndime të rënda trupore, posedim të drogës, vjedhje, grabitje, dhunë ndaj policisë dhe përleshje fizike.

Një rast i rëndë i dhunës në familje është regjistruar në rajonin e Gostivarit, ku një 52-vjeçar me probleme të shëndetit mendor dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij 42-vjeçare, duke e goditur me një send të mprehtë dhe duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Ngjarja ka ndodhur më 27 nëntor, rreth orës 12:30, në shtëpinë familjare, ndërsa rastin në polici e ka denoncuar babai i të dyshuarit. Gruaja fillimisht është dërguar në Spitalin e Gostivarit, por për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore dhe pasi kishte humbur vetëdijen, është transportuar në Kompleksin e Klinikave „Nënë Tereza“ në Shkup, ku është mbajtur për mjekim.

Policia e ka privuar nga liria 52-vjeçarin rreth orës 14:10. Gjatë arrestimit, ai ka rezistuar dhe ka sulmuar fizikisht disa policë, duke lënduar njërin prej tyre. Pas njoftimit të prokurorit publik, i dyshuari është dërguar në Spitalin Psikiatrik në Shkup. Pas dokumentimit të rastit, ndaj tij do të ngrihet kallëzim penal.

Raste të dhunës familjare janë raportuar edhe në qytete të tjera. SPB Tetovë ka ngritur kallëzim penal kundër N.D. (44) nga Tetova, i dyshuar për lëndim trupor ndaj vëllait të tij. Ngjarja ka ndodhur më 1 shtator, pas një mosmarrëveshjeje paraprake.

Ndërkaq, në Koçan, kundër G.P. (33) është ngritur kallëzim penal për rrezikim të sigurisë, pasi dyshohet se më 5 nëntor ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe e ka kërcënuar.

Një tjetër rast shqetësues është raportuar në Tetovë, ku policia ka arrestuar N.K. (40), pas denoncimit se kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij jashtëmartesore, 27-vjeçare. Sipas denoncimit, ai dyshohet se e detyronte gruan të shkonte me burra të tjerë dhe të mos kthehej në shtëpi pa para, ndërsa paratë që ajo fitonte nga lypja duhej t’ia dorëzonte atij. Për rastin është njoftuar Qendra për Punë Sociale në Tetovë, e cila do të kujdeset për strehimin e gruas.

Në Ohër, një 19-vjeçare ka denoncuar se është sulmuar fizikisht në shtëpinë e bashkëshortit të saj jashtëmartesor nga ai, nëna dhe babai i tij. Policia po ndërmerr masa për zbardhjen e rastit.

Kërcënime ndaj bashkëshorteve janë raportuar edhe në rajonin e Prilepit. Një 30-vjeçar nga një fshat i Komunës së Krivogashtanit është privuar nga liria, pasi dyshohet se kishte kërcënuar bashkëshorten e tij 19-vjeçare. Gjithashtu, një 36-vjeçar nga Shkupi ka denoncuar sjellje agresive dhe kërcënime me jetë nga ish-partneri i një gruaje 36-vjeçare.

Drogë në disa qytete, katër persona arrestohen në Shkup

Policia ka realizuar disa aksione kundër posedimit të lëndëve narkotike në Shkup dhe në qytete të tjera të vendit.
Gjatë natës mes 27 dhe 28 nëntorit, në lokacione të ndryshme në Shkup, janë privuar nga liria R.F. (22), P.J. (27), S.A. (21), të gjithë nga Shkupi, si dhe N.B. (26) nga Manastiri. Gjatë kontrolleve tek ata janë gjetur dhe sekuestruar lëndë pluhurore e bardhë, lëndë pluhurore ngjyrë kafe dhe marihuanë.

Kallëzim penal është ngritur edhe kundër T.A. (23) nga Shkupi, i dyshuar për prodhim dhe lëshim të paautorizuar në qarkullim të drogave narkotike, si dhe për sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrave të sigurisë.

Sipas policisë, më 17 nëntor, në rrugën „Bllagoja Stefkovski“ në Shkup, gjatë kontrollit të automjetit „Seat Leon“ që drejtonte i dyshuari, është gjetur marihuanë. Pas kësaj, ai ka ndezur automjetin dhe ka goditur një polic, si dhe një automjet tjetër të parkuar. Gjatë bastisjes së mëvonshme në shtëpinë e tij është gjetur dhe sekuestruar edhe hashash.

Rast tjetër është regjistruar në rrugën Gradsko–Prilep, pranë urës së Leninit, ku policia ka arrestuar S.A. (39) dhe J.T. (42), të dy nga Manastiri. Gjatë kontrollit të automjetit „Audi“, në të cilin udhëtonin, është gjetur marihuanë.

Në fshatin Dihovë të Manastirit janë arrestuar edhe I.S. (37) dhe L.B. (33), pasi gjatë kontrollit tek njëri prej tyre është gjetur marihuanë.

Arrestime për vjedhje, grabitje dhe dëmtim të pronës

Një argjendari në rrugën „11 Tetori“ në Kumanovë është bërë cak i një vjedhjeje. Sipas denoncimit të pronarit A.I. (55) nga Likova, më 27 nëntor, disa persona kanë përdorur forcën dhe një vegël të përshtatshme për të hapur derën e objektit, nga ku kanë marrë stoli të ndryshme ari. Policia po punon për identifikimin dhe gjetjen e autorëve.

Në Kumanovë janë arrestuar edhe M.N. (37) dhe B.N. (36), të dy nga fshati Ramanli, të cilët dyshohet se së bashku me një person tjetër kanë hyrë në një objekt ndihmës brenda kazermës dhe kanë marrë disa sende metalike.

Ndërkaq, në Kriva Pallankë, policia ka zbardhur një vjedhje të kryer në një shtëpi gjatë periudhës 26–27 nëntor. I dyshuari R.B. (31) nga Kriva Pallanka është identifikuar dhe, gjatë bisedës zyrtare me policinë, e ka pranuar veprën. Nga shtëpia e N.A. ishin marrë disa sende.

Në Kavadar është arrestuar Xh.A. (24), i dyshuar për vjedhjen e një kablloje nga një hapësirë për materiale ndërtimore, në pronësi të një personi juridik.

Vjedhje është raportuar edhe në një objekt në ndërtim në rajonin e Gjorçe Petrovit në Shkup. Sipas policisë, nga objekti, gjatë natës mes 26 dhe 27 nëntorit, janë marrë një pompë termike, gjashtë ventilo-konvektorë dhe sende të tjera. Autorët kanë hyrë në objekt duke përdorur forcën dhe mjete të përshtatshme.

Aksident i rëndë në autostradën „Nënë Tereza“

Tre automjete janë përfshirë në një aksident trafiku që ka ndodhur më 27 nëntor, rreth orës 18:45, në autostradën „Nënë Tereza“, pranë nyjës së Radishanit në Shkup.

Në aksident janë përfshirë një „Opel“, i drejtuar nga P.I. (31) nga Shkupi, një „Audi“ me targa të Kosovës, i drejtuar nga A.L. (59) nga Kosova, si dhe një „Mercedes“, i drejtuar nga Sh.Sh. (47) nga Shkupi.

Lëndime të rënda trupore kanë pësuar drejtuesi i „Audi“-t dhe bashkudhëtarja e tij F.L. (63), të dy nga Kosova. Ndërsa lëndime trupore kanë marrë edhe dy drejtuesit e tjerë të automjeteve. Të lënduarit janë dërguar për trajtim në disa institucione shëndetësore në Shkup. Policia ka kryer këqyrjen e vendit të ngjarjes.

Pesë persona arrestohen për drejtim të pakujdesshëm të automjeteve

Gjatë 24 orëve të fundit, policia ka privuar nga liria pesë persona në lokacione të ndryshme të vendit, për shkak të dyshimeve për veprën penale „drejtim i pakujdesshëm i automjetit“.

Tre prej tyre, E.A. (26) nga Shkupi, R.B. (27) nga Hasan Beg dhe M.N. (46) nga Kërçova, kanë drejtuar automjete pa e dhënë provimin për patentë shoferi.

S.V. (38) nga Vinica është kapur duke drejtuar automjet gjatë kohës kur kishte ndalesë aktive për drejtim, ndërsa R.A. (58), po ashtu nga Vinica, ka drejtuar automjet nën ndikimin e alkoolit dhe ka shkaktuar aksident trafiku.

Sulme, përleshje dhe incidente në Shkup

Një sërë incidentesh të dhunshme janë raportuar edhe në kryeqytet.

Në Sheshin „Maqedonia“ është arrestuar Z.H. (58) nga Bosnja dhe Hercegovina, e dyshuar se kishte tentuar të vidhte sende personale nga çanta e një 64-vjeçari në Urën e Gurit. Sipas policisë, tentativën e kishte vërejtur dhe penguar bashkëshortja e tij.
Në një shkollë fillore në Komunën e Aerodromit është raportuar sulm fizik ndaj një të mituri nga dy të mitur të tjerë, ndërsa një i tretë e kishte filmuar ngjarjen me telefon celular. Rasti ka ndodhur më 25 nëntor, ndërsa është denoncuar më 27 nëntor.

Një tjetër rast i dhunës mes të miturve është raportuar në një sallë sportive në Ilinden, ku një vajzë 12-vjeçare dyshohet se është sulmuar fizikisht nga dy të mitura, pas një mosmarrëveshjeje paraprake.

Në bulevardin „Ushtria e Maqedonisë“ është arrestuar H.T. (24) nga Shkupi, pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht policët që po kryenin detyrat zyrtare.

Ndërkaq, në Parkun e Qytetit në Shkup janë arrestuar A.D. (18) dhe dy 17-vjeçarë, pas denoncimit se kishin kërcënuar katër të mitur me një send druri, u kishin marrë para dhe më pas kishin sulmuar fizikisht dy prej tyre.

Përleshje fizike janë raportuar edhe në një autobus në rajonin e Gjorçe Petrovit, ndërmjet P.D. (18) nga Shkupi dhe Sh.F. (37) nga fshati Saraj, si dhe në rajonin e Aerodromit, ndërmjet A.A. (18) dhe një 14-vjeçari.

Në një tjetër incident në Aerodrom, dy persona kanë sulmuar fizikisht D.K. (44) nga Shkupi, duke përdorur një send të fortë dhe një send metalik. Policia po punon për identifikimin e tyre.

Gjithashtu, një 24-vjeçare është arrestuar në Shkup pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht policët. Ndërsa një 39-vjeçare në rajonin e Karposhit është privuar nga liria pasi ishte sjellë në mënyrë agresive ndaj policëve. Gjatë kontrollit është konstatuar se kishte 2,88 promilë alkool në gjak.

Një tjetër arrestim është realizuar në rajonin e Gazi Babës, ku policia ka privuar nga liria K.B. (37), për shkak të sjelljes agresive ndaj nëpunësve policorë.

Incident edhe në Aeroportin e Shkupit

Një shtetas polak, J.F. (47), është arrestuar më 28 nëntor, rreth orës 02:30, në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, pasi dyshohet se kishte prishur rendin dhe qetësinë publike me sjellje agresive dhe të pahijshme.

Gjatë kontrollit ndaj tij, policia ka gjetur dhe sekuestruar një thikë. Ai më pas u është dorëzuar policëve të Stacionit Policor Petrovec për procedurë të mëtejshme.

Rast i dyshuar i përhapjes së urrejtjes në internet

SPB Shtip ka ngritur kallëzim penal kundër D.N. (47) nga fshati Çiflik i Komunës së Çeshinovës-Obleshevës, për dyshime për përhapje të materialit racist dhe ksenofobik përmes sistemit kompjuterik.

Sipas policisë, më 17 nëntor, në një koment të publikuar në një portal të rrjetit social, i dyshuari kishte promovuar dhe nxitur urrejtje dhe dhunë.

Ndërkohë, policia vazhdon të ndërmarrë masa për zbardhjen dhe dokumentimin e të gjitha rasteve të raportuara, ndërsa për rastet ku janë identifikuar të dyshuarit do të vijojnë procedurat përkatëse ligjore.