
Rastet e fundit të zbuluara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kanë ngritur shqetësime për sigurinë e produkteve të mishit që përfundojnë në tregun e Kosovës. Brenda pak javësh, kontrollet laboratorike kanë evidentuar baktere të rrezikshme në produkte të ndryshme, ndërsa në raste të tjera janë konstatuar mospërputhje në përbërje dhe dyshime lidhur me gjurmueshmërinë e mishit të importuar.
Një nga rastet më të fundit është ai i mishit të bluar Premium “Qobani” dhe përshutës së gjedhit, për të cilat AUV ka urdhëruar tërheqjen nga tregu. Në mishin e bluar është zbuluar bakteri Escherichia coli, ndërsa në përshutën e gjedhit është konfirmuar prania e Listeria monocytogenes. Gjithsej 73.2 kilogramë produkte janë izoluar dhe do të asgjësohen.
Shqetësimet për sigurinë e mishit ishin ngritur edhe në fund të tetorit, kur analizat laboratorike zbuluan bakterin Salmonella Minnesota në mishin e ngrirë të pulës me origjinë nga Brazili, të importuar nga kompania “Apetit”. AUV urdhëroi ndalimin e përkohshëm të shitjes dhe tërheqjen e produkteve të identifikuara nga tregu, ndërsa konsumatorëve u bëri thirrje që të mos i konsumojnë ato.
Një tjetër rast u evidentua në nëntor, kur në produktin “Suxhuk shtëpiak” të kompanisë “Buquku” u konstatua prania e ADN-së së pulës, ndonëse në deklaracion figuronin vetëm mishi dhe yndyra e lopës. Pas këtij rezultati, inspektorët bllokuan 178 kilogramë produkte dhe urdhëruan ndalimin e prodhimit të suxhukut, si dhe tërheqjen e produkteve nga pikat e shpërndarjes.
Ndërkohë, shqetësimet për mishin e importuar nga Brazili kishin nisur edhe më herët, pas informacioneve të pranuara nga autoritetet e Malit të Zi për një dërgesë që dyshohej se kishte destinacion tregun e Kosovës. Në atë kohë, AUV kishte shtuar kontrollet ndaj kompanisë “Apetit”, përfshirë verifikimin e dokumentacionit, origjinës, afateve të përdorimit dhe gjurmueshmërisë së produkteve.
Ndërkohë, një sasi edhe më e madhe e produkteve të mishit është asgjësuar në kuadër të procesit të tërheqjes së produkteve ushqimore nga operatori ekonomik ELKOS SH.P.K. Sipas AUV-së, më 30 tetor janë asgjësuar 21 mijë e 226 kilogramë produkte mishi, nën mbikëqyrjen e inspektorëve veterinarë.
Në mesin e produkteve të asgjësuara përfshihen mushkëri dhe kofshë pule, mish pule, mish i grirë, mish gjedhi dhe produkte të tjera ushqimore. Ky proces erdhi pas urdhrit fillestar të AUV-së për ndalimin e shitjes, tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e 3 mijë e 130 kilogramëve kofshë pule të ngrira, pasi ishte konstatuar prania e mykut.
Këto raste kanë bërë që AUV të ndërmarrë masa të ndryshme inspektuese, nga marrja e mostrave dhe analizat laboratorike deri te bllokimi, ndalimi i shitjes dhe tërheqja e produkteve nga tregu.
Megjithatë, mbetet e rëndësishme që konsumatorët të informohen qartë për produktet konkrete që paraqesin rrezik, ndërsa kontrollet të vazhdojnë përgjatë gjithë zinxhirit të furnizimit, nga importi dhe përpunimi deri te pikat e shitjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali