114-vjetori i Pavarësisë, Begaj: Shqipëria më pranë se kurrë rrugës europiane

114-vjetori i Pavarësisë, Begaj: Shqipëria më pranë se kurrë rrugës europiane

Written by

in

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, organizoi në Pallatin e Brigadave një ceremoni solemne me rastin e 114-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Në pritjen e kreut të shtetit morën pjesë drejtues të institucioneve shtetërore, përfaqësues të politikës, diplomatë, si dhe personalitete të jetës publike.

Në fjalën e mbajtur gjatë ceremonisë, Presidenti Begaj u ndal te rëndësia historike e 28 Nëntorit 1912, duke theksuar se shpallja e Pavarësisë nuk ishte thjesht një moment historik, por një amanet dhe përgjegjësi për brezat që do të ndërtonin shtetin shqiptar.

“Në Vlorën e vitit 1912, kur dukej se historia po vendoste për vendet e vogla, një grup burrash shpallën Shqipërinë shtet të pavarur. Ata nuk na lanë një Shqipëri të përfunduar, por një Shqipëri për t’u ndërtuar. Na lanë përgjegjësinë për të ndërtuar një shtet, për ta forcuar dhe për ta çuar përpara”, deklaroi Presidenti.

Kreu i shtetit vuri theksin edhe te kuptimi i lirisë dhe sakrificat që shqiptarët kanë bërë ndër vite për ta fituar dhe ruajtur atë.

“Pavarësia është edhe një përgjegjësi. Për gati gjysmëshekulli shqiptarëve iu mohua liria. Liria e vërtetë për të zgjedhur, për të menduar dhe për të vepruar, sot është mes nesh dhe duhet ta mbrojmë çdo ditë”, u shpreh Begaj.

Duke folur për zhvillimet e tri dekadave të fundit, Presidenti theksoi transformimin që ka përjetuar Shqipëria pas rrëzimit të regjimit komunist.

“Vendi që dikur ishte më i izoluari në Europë, sot është anëtar i NATO-s dhe ndodhet në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Shqipëria e sotme është e transformuar, me një ekonomi më të zhvilluar, me institucione më të forta dhe me një rol gjithnjë e më të vlerësuar në arenën ndërkombëtare”, tha ai.

Begaj nënvizoi se vendi ka kaluar momente të vështira përgjatë historisë së tij, por ka ditur të gjejë forcën për të ecur përpara.

“Shqiptarët e vitit 1912 luftuan për liri, flamur dhe pavarësi. Ata që erdhën pas tyre sakrifikuan për ta mbajtur gjallë shtetin shqiptar. Shqiptarët e viteve ’90 shembën murin e frikës dhe hapën një kapitull të ri për vendin. Kemi kaluar periudha të vështira, por kemi gjetur forcën për të ecur përpara”, deklaroi Presidenti.

Një pjesë e fjalës së tij iu kushtua edhe të rinjve, të cilët sipas tij përfaqësojnë forcën dhe potencialin e Shqipërisë së së ardhmes.

“Sot po rritet një brez që kërkon më shumë mundësi, më shumë përfshirje dhe më shumë zë në vendimmarrje. Ky brez duhet të gjejë hapësirën e nevojshme për të ndërtuar të ardhmen e Shqipërisë”, tha Begaj.

Presidenti komentoi edhe protestën e zhvilluar më 28 Nëntor në Tiranë, duke theksuar se e drejta për të protestuar është pjesë e demokracisë, por duke dënuar aktet e dhunës.

“Kemi parë të rinj dhe qytetarë që protestojnë edhe sot, në ditën e shenjtë të flamurit dhe të bashkimit. Protesta është një e drejtë kushtetuese, por dhuna, shkatërrimi dhe imponimi nuk janë zgjidhja dhe as alternativa”, u shpreh ai.

Në mesazhin e tij, Begaj bëri thirrje për dialog dhe mirëkuptim politik, duke nënvizuar se demokracia ndërtohet mbi respektin për mendimin ndryshe.

“Dialogu është zgjidhja. Demokracia nuk kërkon të mendojmë të gjithë njësoj. Ajo kërkon që, edhe kur mendojmë ndryshe, të ndihemi nën të njëjtën çati. Ajo që na bashkon është shumë më e madhe se ajo që na ndan”, deklaroi Presidenti.

Në fund të fjalës së tij, kreu i shtetit theksoi se shqiptarët duhet të mbeten të bashkuar rreth vlerave të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe orientimit euroatlantik të vendit.

“Mbetemi të bashkuar në vlera, për demokracinë, për shtetin e së drejtës dhe për orientimin tonë euroatlantik. Kjo është rruga që garanton të ardhmen e Shqipërisë dhe të brezave që do të vijnë”, përfundoi Presidenti Begaj.

Burimi: RTKLive