IKD: Mungesa e stafit në Kuvend dhe ajo e kuorumit rrezikon përmbushjen e agjendës legjislative

IKD: Mungesa e stafit në Kuvend dhe ajo e kuorumit rrezikon përmbushjen e agjendës legjislative

Written by

in

IKD: Mungesa e stafit në Kuvend dhe ajo e kuorumit rrezikon përmbushjen e agjendës legjislative

Kuvendi i Kosovës rrezikon të mos e përmbushë agjendën legjislative të paraparë për këtë vit, për shkak të mungesës së stafit të brendshëm, mungesës së kuorumit dhe mungesës së bashkëpunimit ndërmjet pozitës dhe opozitës.

Kështu ka vlerësuar hulumtuesi i lartë në Institutin e Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jakaj, në një intervistë për Ekonomia Online.

Jakaj ka thënë se Kuvendi po përballet me mungesë të konsiderueshme të stafit profesional, duke theksuar se gjysma e komisioneve parlamentare kanë koordinatorë me ushtrues detyre. Sipas tij, kjo situatë ndikon në efikasitetin dhe cilësinë e punës së komisioneve.

“Ajo çka dihet dhe që e kemi thënë si IKD, Kuvendi i Kosovës është përballur me mungesë të jashtëzakonshme të stafit të brendshëm, për shembull, gjysma e komisioneve parlamentare, koordinatorët e këtyre komisioneve janë me ushtrues të detyrës. Kuvendi i Kosovës, gjatë legjislaturës së 8, 9, 10 nuk do të duhej që t’i lënte këto komisione parlamentare, veçanërisht ato që janë të përhershme, me ushtrues detyre, por të shpallte konkursin, t’i emëronte personat të cilët kanë integritet edhe profesionalizëm në kryerjen e detyrave të caktuara që i ngarkon edhe kontrata e punës, edhe ligji për zyrtarë publikë e fushave në bazë të fushave konkrete të komisioneve parlamentare”, tha Jakaj.

Ai ka theksuar që Kuvendi të shpallë sa më parë konkurset për plotësimin e këtyre pozitave, në mënyrë që të sigurohet funksionimi efikas dhe profesional i komisioneve parlamentare, transmeton Klankosova.tv.

“Në mënyrë që Kuvendi i Kosovës me përcjellë agjendën legjislative të qeverisë, por edhe punën e vet që e planifikon në bazë të programit të punës me efikasitet dhe me përmbajtje profesionale. Ne çka kërkojmë sot është që Kuvendi i Kosovës sa më parë të shpallë konkurset e caktuara të cilat e i plotësojnë këto pozita, në mënyrë siç e thashë edhe më herët, Kuvendi me e kryer punën e vet në pajtim me ligjin edhe me rregulloret përkatëse”, potencoi ai.

Hulumtuesi i IKD-së ka vlerësuar se përveç mungesës së stafit edhe mungesa e vullnetit për bashkëpunim politik dhe e kuorumit në komisione e seanca plenare vështirëson miratimin e projektligjeve.

“Ne besojmë që nuk do të mund ta përmbushë agjendën legjislative të paraparë për këtë vit, për arsyet që i përmendëm edhe më herët, të mungesës së stafit të brendshëm, mungesës së vullnetit të partisë politike që udhëheq me vendin në bashkëpunim me partitë opozitare që ligjet, projektligjet e caktuara të miratohen edhe me bashkëpunim me to, por që edhe për shkak të mungesës së kuorumit të nevojshëm për kalimin e këtyre projektligjeve si në komisione parlamentare ashtu edhe në seanca parlamentare. Ne çka kemi gjetur deri më tash është se me dhjetëra pika nga njëra seancë në tjetrën mbarten dhe kështu ndodh pastaj grumbullimi i pikave të cilat Kuvendi është i detyruar gjithsesi të marrë një përgjigje definitive në raport me miratimin e projektligjeve që pastaj bën këtë grumbullimin e pikave”, potencoi Jakaj.

Sipas tij, gjatë dy viteve të fundit Kuvendi nuk ka qenë funksional, gjë që ka ndikuar në grumbullimin e çështjeve të pambaruara dhe në pamundësinë e ushtrimit të plotë të funksioneve kushtetuese, përfshirë atë legjislativ, përfaqësues, zgjedhor dhe mbikëqyrës.

“Nga ajo që dihet është që në dy vitet e fundit nuk kemi pasur Kuvend funksional edhe nga kjo ka bërë që Kuvendit t’i grumbullohen pikat e ndryshme, temat e ndryshme dhe që s’është mundur të kryhet ato tre, katër funksionet legjislative, përfaqësues, zgjedhor dhe mbikëqyrës, domethënë këto katër funksione kushtetuese nuk kanë mundur të kryhen. Rrjedhimisht tash janë grumbulluar dhe Kuvendit do t’i duhej kohë shumë e madhe përtej orarit të tetë orësh që të punojnë deputetët dhe t’i kryejnë detyrat e veta. Nga ajo që kemi parë nuk mund ta masim realisht aktualisht punën e Kuvendit të Kosovës, por ka ngecje të caktuara, veçanërisht tek mbikëqyrja parlamentare, tek pyetjet parlamentare, ku më shumë se gjysma e ministrave nuk janë përgjigjur në pyetjet parlamentare të cilat janë parashtruar dhe veçanërisht kur shohim se atje tek neni i rregullores ku tashmë pyetja parlamentare nuk konsumohet edhe kur parashtrohet, ka grumbullim të madh të pyetjeve parlamentare”, shtoi.

Jakaj ka kërkuar nga kryetarja e Kuvendit dhe Kryesia që të caktojnë një seancë të veçantë për pyetjet parlamentare, me qëllim që deputetët të marrin përgjigje nga ministrat dhe të përmirësohet mbikëqyrja parlamentare.