Projeksionet e FMN-së:Rritja ekonomike ngadalësohet, inflacioni rritet në Kosovë

Projeksionet e FMN-së:Rritja ekonomike ngadalësohet, inflacioni rritet në Kosovë

Written by

in

Kosova pritet të përballet me inflacionin më të lartë në mesin e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor gjatë vitit 2026, ndërsa rritja ekonomike parashikohet të mbetet në nivelin 3.5 për qind. Kështu thuhet në projeksionet e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), të publikuara në raportin “World Economic Outlook”.

Sipas parashikimeve të FMN-së, norma e inflacionit në Kosovë pritet të arrijë në 6.8 për qind në vitin 2026, krahasuar me 3.9 për qind në vitin 2025. Kjo nënkupton një rritje prej 2.9 pikë përqindjeje brenda një viti.Me këtë nivel të parashikuar, Kosova do të renditej e para në rajon për nga inflacioni. Pas saj vjen Bosnja dhe Hercegovina me 5 për qind, Maqedonia e Veriut me 4 për qind, Mali i Zi me 3.5 për qind, Shqipëria me 3.2 për qind dhe Serbia me 3.1 për qind.

Megjithatë, FMN-ja pret që presionet inflacioniste të zbuten gjatë vitit 2027, kur inflacioni në Kosovë parashikohet të bjerë në 4.5 për qind.

Në anën tjetër, ekonomia e Kosovës parashikohet të shënojë rritje prej 3.5 për qind gjatë vitit 2026, nga 3.6 për qind sa vlerësohet për vitin paraprak.

Sipas këtyre projeksioneve, bëhet fjalë për një ngadalësim të lehtë të rritjes ekonomike, prej 0.1 pikë përqindjeje. Për vitin 2027, FMN-ja pret që rritja të rikthehet në 3.6 për qind.

Në krahasim me ekonomitë e tjera të Ballkanit Perëndimor, Kosova pritet të ketë të njëjtën normë të rritjes ekonomike me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, të cilat parashikohet të rriten me nga 3.5 për qind.Serbia pritet të shënojë rritje prej 3.3 për qind, Mali i Zi prej 3 për qind, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina prej 2.3 për qind.

Projeksionet e FMN-së për vitin 2027 tregojnë se Serbia mund të shënojë rritjen më të lartë ekonomike në rajon, me 4 për qind. Kosova parashikohet të rritet me 3.6 për qind, ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut me nga 3.2 për qind.

Për Malin e Zi parashikohet rritje prej 2.8 për qind, ndërsa për Bosnjën dhe Hercegovinën prej 2.6 për qind.

Sa i përket inflacionit, Kosova dhe Maqedonia e Veriut pritet të kenë normë prej 4.5 për qind. Në Serbi inflacioni parashikohet të jetë 4.2 për qind, në Mal të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinë nga 3.3 për qind, ndërsa në Shqipëri 3.2 për qind.

Projeksionet e FMN-së sugjerojnë se sfida kryesore për ekonominë e Kosovës gjatë vitit 2026 do të jetë rritja e presioneve inflacioniste, në një kohë kur aktiviteti ekonomik pritet të ruajë një ritëm relativisht të qëndrueshëm.

Burimi: RTKLive