
Një ngjarje e rëndë familjare ka vënë në lëvizje Policinë dhe ekipet mjekësore në Prishtinë. Një i ri është dërguar në QKUK pas një tentative për vetëvrasje, ndërsa gjatë trajtimit të rastit, babai i tij ka denoncuar se familja prej kohësh përballej me dhunë fizike dhe psikologjike nga i biri, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Sipas burimeve të Sinjalit, i dyshuari është E.N., ndërsa ankuesi është babai i tij, N.N., rreth 69 vjeç.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së shtunës, më 28 nëntor, rreth orës 09:15, kur prindërit kishin kërkuar ndihmë pasi djali i tyre kishte tentuar t’i jepte fund jetës.
I riu kishte marrë ndihmën e menjëhershme mjekësore dhe ishte transportuar në QKUK për trajtim.
Gjatë intervistimit në Polici, babai kishte deklaruar se nuk dyshonte që ndonjë person tjetër mund ta kishte shtyrë djalin e tij drejt këtij veprimi.
Mirëpo, 69-vjeçari kishte rrëfyer se ai dhe bashkëshortja e tij përballeshin vazhdimisht me ofendime, britma dhe dhunë psikologjike nga i biri, duke pretenduar se në të kaluarën kishte pasur edhe raste të sulmeve fizike ndaj tyre.
Pas marrjes së trajtimit mjekësor, i riu është shoqëruar në stacion policor, ku ka konfirmuar se kishte tentuar t’i jepte fund jetës.
Prokuroria ka vendosur që tentativa për vetëvrasje të evidentohet si shënim zyrtar, ndërsa për pretendimet e babait është iniciuar rast penal për veprën “Dhuna në familje”.
Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, i riu është ndaluar për 48 orë në lidhje me dyshimet për dhunë në familje.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Burimi: Sinjali