
Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, është takuar me zëvendësdrejtorin menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bo Li, në kuadër të Takimeve Vjetore 2026 të FMN-së dhe Grupit të Bankës Botërore, që po mbahen në Bangkok të Tajlandës.
Sipas njoftimit të BQK-së, takimi u fokusua në zhvillimet financiare në Kosovë, qëndrueshmërinë e sistemit financiar, zbatimin e reformave strategjike dhe forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve.
Gjatë takimit, guvernatori Ismaili theksoi stabilitetin dhe performancën e mirë të sektorit financiar në Kosovë, duke vënë në pah se sektori bankar mbetet mirë i kapitalizuar, likuid dhe i qëndrueshëm.
Ai prezantoi gjithashtu progresin në zbatimin e Planit Strategjik të BQK-së për periudhën 2024–2028 dhe rekomandimeve që dalin nga vlerësimet dhe misionet e asistencës teknike të FMN-së.
Vëmendje e veçantë iu kushtua avancimit të mbikëqyrjes së bazuar në rrezik në sektorin financiar, forcimit të mekanizmave për ruajtjen e stabilitetit financiar dhe menaxhimin e krizave, si dhe përmirësimit të qeverisjes dhe qëndrueshmërisë institucionale të BQK-së.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimin e kapaciteteve analitike dhe mbikëqyrëse të Bankës Qendrore, përfshirë përmirësimin e parashikimeve makroekonomike.
Në emër të BQK-së, Ismaili shprehu mirënjohje për partneritetin afatgjatë me FMN-në dhe mbështetjen e këtij institucioni në zhvillimin e sektorit financiar dhe zbatimin e reformave institucionale në Kosovë.
Një çështje tjetër e diskutuar ishte themelimi dhe funksionalizimi i Qendrës Rajonale të Asistencës Teknike të FMN-së për Evropën Juglindore (SEETAC). Ismaili theksoi se BQK-ja e ka konfirmuar dhe përmbushur kontributin e saj në këtë iniciativë.
Në përfundim, të dyja palët riafirmuan përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit strategjik, vazhdimin e asistencës teknike dhe shkëmbimin e njohurive në mbështetje të reformave dhe zhvillimit të sektorit financiar në Kosovë.