Të gjithë e njohin këtë objekt si simbol të Lidhjes së Prizrenit, por historia e themelimit nisi diku tjetër

Të gjithë e njohin këtë objekt si simbol të Lidhjes së Prizrenit, por historia e themelimit nisi diku tjetër

Written by

in

Objekti që sot njihet si simbol i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit nuk është vendi ku u mbajt kuvendi i saj themelues.

Pavarësisht se shumica e vizitorëve e lidhin këtë kompleks monumental me mbledhjet historike të 10 qershorit 1878, vendi ku u mblodhën përfaqësuesit shqiptarë për të diskutuar të ardhmen e trojeve shqiptare ishte Xhamia e Gazi Mehmet Pashës, e njohur në Prizren edhe si Xhamia e Bajraklisë apo Xhamia e Flamurit.

Për të kuptuar më shumë rreth lokacionit ku u mbajt kuvendi themelues dhe funksionit që kishin objektet e kompleksit aktual të Lidhjes së Prizrenit, kemi biseduar me historianin dhe përgjegjësin e këtij kompleksi, Parim Kosova.

“Kuvendi themelues i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në bazë të dokumentacionit të kohës, në bazë të raporteve të konsujve të huaj, po edhe të studiuesve, edhe të paraluftës së Dytë Botërore, edhe nga tradita, dihet që Kuvendi themelues i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, më 10 qershor, është mbajtur në Xhaminë e Gazi Mehmet Pashës, pikërisht apo populli si e njeh ndryshe edhe si Xhamia e Bajrakut”, thotë Parim Kosova.

Sipas tij, edhe shenjat përkujtimore të vendosura në këtë objekt dëshmojnë për rëndësinë e tij historike.

“Kështu që Bashkësia Islame pati vendosur edhe një pllakë të mermerit, njëjtë edhe Kuvendi Komunal i Prizrenit edhe vetë hapësira tregon që kjo xhami zë deri 400–500 veta”, potencon ai.

Ndërkohë, kompleksi monumental që sot vizitohet nga qytetarë, nxënës dhe delegacione të ndryshme kishte funksion tjetër gjatë veprimtarisë së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Ai shërbente si qendër administrative, ndërsa njëri prej objekteve ishte rezidenca e qeverisë së përkohshme, e udhëhequr nga Ymer Prizreni.

“Kompleksi monumental aktual i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ka qenë pjesë përbërëse e kompleksit fetar të Gazi Mehmet Pashës, ngase objekti pranë nesh, që ka shërbyer për rezidencë të qeverisë dhe që është simbolik i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ka qenë rezidenca e qeverisë përkohshme, gjegjësisht e kryeministrit Ymer Prizrenit”, bën të ditur përgjegjësi i objekteve të Lidhjes së Prizrenit.

Përveç rezidencës së qeverisë, edhe objekti i medresesë ishte shfrytëzuar për funksionimin e kabineteve ministrore të Lidhjes.

“Ndërsa objekti tjetër i medresesë ka shërbyer për kabinete të ministrive të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, qoftë të kabinetit për punë të jashtme që ka udhëhequr Abdyl Frashëri, kabineti për punë të brendshme që ka udhëhequr Haxhi Shabani, pastaj kabineti i mbrojtjes apo ministrisë së mbrojtjes që ka udhëhequr Sylejman Vokshi”, deklaron Parim Kosova.

Xhamia e Gazi Mehmet Pashës, e njohur në Prizren edhe si Xhamia e Bajraklisë apo Xhamia e Flamurit

Këto hapësira, sipas historianit, u vunë në shërbim të strukturave politike dhe ushtarake të Lidhjes gjatë gjithë periudhës së veprimtarisë së saj.

“Pra, të gjitha këto hapësira janë vënë në shërbim të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit gjatë gjithë kohës derisa ka vepruar kjo organizatë politike dhe ushtarake dhe qeveria e përkohshme e dalë nga kjo Lidhje Shqiptare e Prizrenit”, shtoi mes tjerash historiani.

Lidhja Shqiptare e Prizrenit mbetet një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë shqiptare. Megjithatë, përveç kompleksit që sot simbolizon këtë ngjarje, një pjesë e rëndësishme e historisë së saj lidhet edhe me Xhaminë e Bajraklisë, ku u mbajt kuvendi themelues më 10 qershor 1878. /Telegrafi/