
Një 75-vjeçar shqiptar, Eqerem Ahmetaj, është gjetur i pajetë në një kanal në zonën rurale të San Zeno, në periferi të qytetit të Brescias në Itali.
Sipas mediave italiane, trupi i tij u zbulua mesditën e së shtunës, më 28 nëntor, transmeton Klankosova.tv.
Ahmetaj, i cili jetonte prej 20 vitesh në Itali, ishte larguar nga banesa më 21 nëntor. Ai jetonte vetëm, por mbahej në kujdes nga familjarët, ish-bashkëshortja dhe tre fëmijët e tij, shkruan Panorama.com.
Kontakti i fundit me të afërmit kishte qenë të shtunën e kaluar, në orën 19:21, kur ai iu kishte dërguar një mesazh duke thënë: “Kam rënë, jam i lagur”.
Pas këtij komunikimi, ai nuk ishte përgjigjur më në telefon. Kërkimet e policisë u përqendruan në zonën ku sinjali GPS i pajisjes së tij ishte lokalizuar. Pavarësisht kontrolleve të kryera në ditët e mëparshme, trupi u gjet vetëm të shtunën.