Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka reaguar pas lëndimit të deputetit të kësaj partie, Kliti Hoti, gjatë protestës së së dielës në Tiranë.
Berisha ka pretenduar se deputeti i Shkodrës është qëlluar me urdhër politik, duke e akuzuar kryeministrin Edi Rama për sulmin ndaj tij.
Përmes një postimi në Facebook, kreu i PD-së e ka cilësuar rastin si sulm me qëllim vrasjen e deputetit dhe ka paralajmëruar reagim politik.
“Deputeti i Partisë Demokratike Kliti Hoti qëllohet me urdhër politik për ta vrarë të Edi Ramës!”, ka shkruar Berisha.
Ai ka shtuar se Partia Demokratike e dënon atë që e ka cilësuar si sulm kriminal ndaj deputetit të Shkodrës.
“Partia Demokratike dënon me forcën më të madhe këtë sulm kriminal me qëllim vrasjen e deputetit të Shkodrës Dr. Kliti Hoti dhe garanton padrinon Edi Rama se do të marrë përgjigjen e merituar!”, ka deklaruar Berisha.
Në fund të reagimit, ai u ka bërë thirrje mbështetësve të partisë që të mobilizohen.
“Demokratë e demokrate të gjithë në këmbë! O sot o kurrë!”, ka përfunduar ai.
Ndryshe, deputeti Kliti Hoti mbeti i lënduar gjatë protestës në Tiranë, pasi dyshohet se u godit me plumb gome nga efektivët e policisë. Në pamjet e publikuara, ai shihet duke u rrëzuar në bulevard, ndërsa më pas është dërguar me ambulancë në spital. /Telegrafi/