Sulmet ruse lënë 600,000 njerëz pa rrymë në Ukrainë, thotë Zelensky

Sulmet ruse lënë 600,000 njerëz pa rrymë në Ukrainë, thotë Zelensky

Written by

in

Sulmet ruse lënë 600,000 njerëz pa rrymë në Ukrainë, thotë Zelensky

Të paktën 600,000 njerëz në mbarë Ukrainën kanë mbetur pa energji elektrike pas sulmeve vdekjeprurëse me raketa dhe dronë rusë gjatë natës, ka deklaruar presidenti Volodymyr Zelensky.

Sipas BBC, ai tha se infrastruktura “kritike” e energjisë ishte goditur në Kiev dhe në rajonin e kryeqytetit, si dhe në qytetin verilindor të Kharkiv-it – pavarësisht pretendimit të presidentit amerikan Donald Trump të dielën se një “armëpushim energjetik” ishte vendosur midis Rusisë dhe Ukrainës.

Në Kiev, të paktën tre persona humbën jetën dhe 21 të tjerë u plagosën, njoftoi Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës (DSNS).

Ministria ruse e Mbrojtjes deklaroi se sulmet e saj “masive” gjatë natës kishin shënjestruar objektet e komunikimit dhe të energjisë në rajonet e Kievit dhe Kharkiv-it, të cilat përdoreshin nga ushtria ukrainase.

Ministria e Mbrojtjes njoftoi gjithashtu se 902 dronë ukrainas ishin rrëzuar gjatë natës mbi disa rajone ruse, përfshirë kryeqytetin Moskë dhe Krimenë – gadishullin jugor të Ukrainës të aneksuar nga Rusia në vitin 2014.

Forcat Ajrore të Ukrainës njoftuan se gjatë natës, Rusia kishte lëshuar 39 raketa balistike dhe lundruese si dhe 128 dronë, dhe se katër nga ato raketa dhe 115 dronë ishin rrëzuar.

Të dielën, Trump shkroi në një postim në rrjetet sociale: “Me efekt të menjëhershëm, ekziston një ARMËPUSHIM ENERGJETIK në luftën midis Rusisë dhe Ukrainës. Të dyja palët kanë rënë dakord. Mos e shkelni atë!”.

Presidenti Zelensky ka deklaruar vazhdimisht se Ukraina është e gatshme të ndalojë sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës dhe objekteve të tjera energjetike, nëse Moska bën të njëjtën gjë.

Por Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, ka thënë se Ukraina nuk e meriton “pushimin” që do të sillte një armëpushim. Sipas tij, në çdo rast armëpushimi, Evropa do të ishte në gjendje ta “furnizonte [Ukrainën] me armë të reja” që ajo të vazhdonte luftën.

Presidenti rus Vladimir Putin nisi një pushtim në shkallë të gjerë të Ukrainës në vitin 2022 dhe aktualisht Moska kontrollon rreth 20% të territorit ukrainas./Klankosova.tv