
Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas komunikatës së Gjykatës Speciale, në të cilën kjo e fundit përshkroi kushtet e qëndrimit të ish-krerëve të UÇK-së në paraburgim në Hagë, duke përmendur ushqimin, ajrin e pastër dhe mundësitë për vizita familjare.
Çitaku ka vënë në pikëpyetje mënyrën se si është trajtuar dosja e Prokurorisë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke përmendur pranimin e 2.356 dokumenteve nga Serbia si prova në këtë proces, shkruan Insajderi.
Ajo ka kritikuar edhe peshën që, sipas saj, u është dhënë dëshmive të zyrtarëve të lartë të NATO-s, SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe OKB-së, të cilat, sipas saj, nuk u morën parasysh në masën e duhur në aktgjykimin e 16 shtatorit.
“Po, e lexuam menynë. Tani të flasim për dosjen dhe drejtësinë”, ka shkruar Çitaku, duke kërkuar sqarime se si janë verifikuar dokumentet e ardhura nga Serbia dhe çfarë mundësie ka pasur mbrojtja për t’i kundërshtuar ato.
Çitaku ka ngritur pikëpyetje edhe për pranimin e 164 deklaratave me shkrim, pa mundësinë që mbrojtja t’i merrte në pyetje personat që i kishin dhënë, si dhe për rreth 2.000 prova që, sipas saj, u pranuan pasi Prokuroria kishte përfunduar paraqitjen e rastit.
Ajo ka kritikuar gjithashtu trajtimin e kërkesave të ish-krerëve të UÇK-së për të takuar familjarët, duke rikujtuar rastin kur Hashim Thaçit nuk iu lejua të merrte pjesë në varrimin e babait të tij.
Në reagimin e saj, Çitaku ka përmendur edhe vendimet e apelit në rastet e Pjetër Shalës dhe Salih Mustafës, duke thënë se gabimet e konstatuara nga vetë gjykata e bëjnë të domosdoshme një analizë të pavarur të aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në fund, ajo ka thënë se Kosova nuk do të zmbrapset nga përpjekjet për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së, duke paralajmëruar zbatimin e strategjisë shtetërore për apelin dhe vazhdimin e lobimit ndërkombëtar.
“Do të bëjmë gjithçka që kemi në dorë që e vërteta të triumfojë në apel”, ka përfunduar Çitaku. /Insajderi.org/
Burimi: Insajderi