
Hulumtuesja e lartë në Qendrën Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Jeta Loshaj, ka thënë se Serbia vazhdon të përbëjë kërcënim për Kosovën, jo vetëm përmes narrativave dhe dezinformatave, por edhe përmes veprimeve konkrete.
E ftuar në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, Loshaj ka folur për sigurinë në vend, duke iu referuar edhe sulmit në kanalin e Ibër-Lepencit, më 29 nëntor 2024.
Ajo ka vlerësuar se ky sulm dëshmoi cenueshmërinë e infrastrukturës kritike në Kosovë dhe pasojat që mund të ketë një sulm i tillë për qytetarët.
“Sulmi në Ibër-Lepenc e dëshmoi që cenueshmëria e infrastrukturës kritike vazhdon të jetë një rrezik për Kosovën… Një sulm direkt, i cili do të kishte pasur pasoja ku do t’i mohohej qasja në ujë të pijshëm rreth gjysmës së popullsisë së Kosovës, dëshmoi që ne vazhdojmë ta kemi Serbinë si kërcënim, jo vetëm në narrativë, por edhe në mënyrë konkrete”, ka deklaruar Loshaj.
Ajo ka theksuar se, edhe dy vjet pas sulmit, procesi ka shënuar vetëm përparim procedural dhe ende nuk ka një aktgjykim të plotë. Sipas saj, personat që dyshohen për përfshirje në këtë rast dhe që aktualisht ndodhen në paraburgim, kanë histori të lidhjeve me veprimtari të spiunazhit në bashkëpunim me autoritetet serbe.
Loshaj ka folur edhe për rëndësinë e pranisë amerikane në Evropë dhe ndikimin që ajo ka në sigurinë e Kosovës, duke theksuar se duhet bërë dallimi mes pranisë ushtarake amerikane në Evropë dhe qëndrimit të SHBA-së në NATO.
Ajo ka thënë se roli i SHBA-së në sigurinë e Kosovës është i rëndësishëm si në aspektin simbolik, ashtu edhe në atë konkret.
“Vetë intervenimi i NATO-s ka qenë i udhëhequr nga SHBA-ja, kështu që jo vetëm simbolikisht prania e SHBA-së në kampin Bondsteel, por edhe në fusha të tjera, ka peshë. Në aspektin e sigurisë ka tejet rëndësi për neve”, ka thënë ajo.
Loshaj ka përmendur gjithashtu reagimin e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së pas sulmit në Banjskë, duke thënë se atëherë Serbisë i ishin bërë të qarta vijat e kuqe që nuk duhej t’i kalonte, pas tentimit për të afruar më shumë se një mijë trupa pranë kufirit me Kosovën.
Ajo ka shtuar se, pavarësisht paralajmërimeve për rishikim apo zvogëlim të pranisë së KFOR-it dhe pezullimit të dialogut strategjik, bashkëpunimi në fushën e sigurisë mes Kosovës dhe SHBA-së ka mbetur në nivelin e dëshiruar.