Numri i të prekurve nga gripi në Maqedoni është në rritje.
Gjatë dy javëve të fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e numrit të pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore, ndërsa vetëm gjatë javës së 47-të të vitit, nga 16 deri më 22 nëntor, janë regjistruar 188 raste të reja me grip dhe sëmundje të ngjashme me të.
Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se kjo është një rritje prej 22,1 % krahasuar me javën paraprake.
Më së shumti raste janë regjistruar në Shkup, Kumanovë, Dibër dhe Radovish, ndërsa grupmosha më e prekur është ajo nga 15 deri në 64 vjeç.
Mjekët familjarë thonë se në ordinanca po paraqiten gjithnjë e më shumë pacientë me temperaturë të lartë, dhimbje të forta koke dhe dhimbje të muskujve.