Demokratët Evropianë dënojnë dhunën në protestën në Tiranë

Demokratët Evropianë dënojnë dhunën në protestën në Tiranë

Written by

in

Partia Demokratët Evropianë ka dënuar dhunën gjatë protestës masive të opozitës të mbajtur të dielën në Tiranë, ku sipas kësaj partie, 47 persona kanë mbetur të lënduar, përfshirë gjashtë gazetarë.

Në një reagim të publikuar në platformën X, Demokratët Evropianë kanë shprehur shqetësim të veçantë për pamjet e deputetit të opozitës, Kliti Hoti, i cili u lëndua gjatë protestës.

Sipas kësaj partie evropiane, pamjet e dhunës ndaj deputetit janë të papajtueshme me parimet demokratike dhe aspiratat e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

“Ne dënojmë të gjitha format e dhunës dhe qëndrojmë fuqishëm në mbështetje të qytetarëve që ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike për protesta paqësore”, thuhet në reagim.

Demokratët Evropianë u kanë bërë thirrje të gjitha forcave politike evropiane që ta dënojnë pa ekuivok dhunën dhe të vazhdojnë ta mbajnë vëmendjen e institucioneve evropiane te zhvillimet në Shqipëri.

Në reagim, kjo parti ka shprehur shqetësim për atë që e cilëson si përshkallëzim alarmues të prirjeve autoritare nën qeverisjen e kryeministrit Edi Rama.

“E ardhmja evropiane e Shqipërisë nuk mund të ndërtohet mbi shtypjen e kundërshtimit, por mbi demokracinë, liritë themelore dhe sundimin e ligjit”, thuhet në reagimin e Demokratëve Evropianë.

Reagimi vjen pas protestës së opozitës në Tiranë, e cila u shoqërua me incidente dhe përleshje, ndërsa lëndimi i protestuesve dhe gazetarëve ka nxitur reagime për mënyrën e menaxhimit të tubimit.