
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka bërë të ditur gjendjen aktuale në rrugët e vendit pas reshjeve të borës.
Në një njoftim për media thuhet se rrugët nën përgjegjësinë e ministrisë janë të hapura për qarkullim.
Sipas njoftimit, gjatë 24 orëve të fundit trashësia e borës ka kaluar 20 centimetra, ndërsa në disa zona malore ka arritur mbi 40 centimetra.
Ndërkohë, gjatë ditëve në vijim temperaturat minimale pritet të zbresin nga -16 deri në -10 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale të lëvizin nga -5 deri në -2 gradë.
Ministria u ka bërë thirrje shoferëve të kenë kujdes gjatë qarkullimit dhe ta përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës.