Kosova rrezikon të humbasë mbi 131 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së

Kosova rrezikon të humbasë mbi 131 milionë euro nga Plani i Rritjes i BE-së

Written by

in

Kosova rrezikon të humbasë mbi 131 milionë euro nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian, nëse deri në fund të dhjetorit nuk i përmbush reformat e kërkuara. Vendi duhet t’i realizojë 22 hapa reformues, por një pjesë e tyre ende nuk janë përmbushur, pavarësisht përpjekjeve të institucioneve.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka thënë se institucionet po bëjnë përpjekje maksimale për përmbushjen e reformave dhe për të mos humbur fondet e Bashkimit Evropian.

VOX – Albulena Haxhiu, kryetare e Kuvendit

“Me shpejtësi të paparë, me hapa të shpejtë ne kemi vazhduar punën. Është e rëndësishme të mos humbim fonde nga BE-ja dhe ne po bëjmë përpjekjet maksimale”, ka thënë Haxhiu.

Ndërkaq, njohës të fushës vlerësojnë se institucionet duhet t’i trajtojnë me urgjencë reformat e mbetura, në mënyrë që Kosova të mos humbasë mundësinë për të përfituar nga këto fonde.

Vonesat në zbatimin e reformave tashmë i kanë kushtuar Kosovës mbi 43 milionë euro. Këto mjete, të cilat Kosova nuk arriti t’i përfitojë, u janë shpërndarë Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

Drejtoresha ekzekutive e Grupit për Studime Juridike dhe Politike, Njomza Arifi, ka vlerësuar se pasojat e këtyre vonesave nuk kufizohen vetëm në humbjen financiare.

“Për Kosovën kjo shkon përtej humbjes financiare, sepse e zgjeron edhe hendekun zhvillimor ndaj vendeve që kanë arritur të performojnë më mirë në implementimin e agjendës së reformave”, ka thënë Arifi.

Reformat e parapara në Planin e Rritjes përfshijnë sundimin e ligjit, luftimin e korrupsionit, tranzicionin e gjelbër dhe digjital, reformën në administratën publike dhe fusha të tjera.

Burimi: RTKLive