
Policia e Shqipërisë u ka bërë thirrje pjesëmarrësve në tubimin në Tiranë të ruajnë qetësinë dhe të distancohen nga personat e maskuar që, sipas policisë, po sulmojnë efektivët dhe po dëmtojnë pronën publike e private.
Përmes një deklarate publike, Policia e Shtetit ka apeluar për ndërprerjen e menjëhershme të akteve të dhunës, duke theksuar se e drejta për të protestuar është e garantuar me Kushtetutë, por dhuna ndaj punonjësve të policisë, qytetarëve dhe institucioneve është e papranueshme dhe e dënueshme me ligj, transmeton Klankosova.tv.
Në deklaratë, policia nënvizon se është në krye të detyrës për të garantuar sigurinë e qytetarëve, ushtrimin e së drejtës për tubim paqësor, si dhe mbrojtjen e jetës, pronës dhe institucioneve.
“Çdo person që kryen veprime të kundërligjshme do të mbajë përgjegjësi penale përpara ligjit”, thuhet në apelin e Policisë së Shtetit.
Institucioni thekson se do të vijojë të veprojë me profesionalizëm, përmbajtje dhe vendosmëri, në përputhje me ligjin, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike.
“E drejta për të protestuar mbrohet. Dhuna nuk tolerohet”.