Tahiri kërkon veprim institucional pas raportit të Avokatit të Popullit për Specialen

Tahiri kërkon veprim institucional pas raportit të Avokatit të Popullit për Specialen

Written by

in

Tahiri kërkon veprim institucional pas raportit të Avokatit të Popullit për Specialen

Deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, ka marrë pjesë në tryezën e organizuar nga Avokati i Popullit, ku është prezantuar raporti ex officio për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Tahiri ka theksuar përmes një postimi në Facebook se raporti evidenton mungesë serioze të mbikëqyrjes së Dhomave të Specializuara nga institucionet kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Ai ka ngritur shqetësime edhe për mungesën e transparencës lidhur me vazhdimin e mandatit të Avokatit të Personit, duke thënë se nuk ka informacion të mjaftueshëm për procedurat, kriteret dhe performancën mbi bazën e të cilave është marrë ky vendim.

“Ka përfunduar koha e deklaratave emocionale dhe lavdërimeve. Tani është koha që institucionet e Kosovës të veprojnë mbi bazën e fakteve dhe standardeve të qarta”, ka deklaruar Tahiri.

Sipas tij, Kuvendi i Kosovës, Komisioni për Legjislacion dhe institucionet e tjera duhet t’i trajtojnë me seriozitet gjetjet e raportit të një institucioni të pavarur kushtetues.

Tahiri ka theksuar gjithashtu se Kuvendi i Kosovës ka të drejtë ta rishikojë ligjin në përputhje me standardet ndërkombëtare, kur evidencat tregojnë se nevojiten ndryshime.

Ai e ka përmbyllur qëndrimin e tij duke theksuar se llogaridhënia është një parim themelor i demokracisë.

“Llogaridhënia nuk është zgjedhje, por themel i demokracisë”, ka përfunduar Tahiri.