Në 22-vjetorin e tragjedisë, homazhe dhe nderime u bënë në “Lëndinën e Lotëve” në Malishevë, ku prehen trupat e maturantëve. Në ceremoni morën pjesë familjarë, përfaqësues të institucioneve komunale, mësimdhënës, nxënës dhe qytetarë.
Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, e cilësoi këtë ditë si një nga më të dhimbshmet për komunën dhe vendin, duke shprehur solidaritetin me familjet e viktimave.
“Ne, si institucione, jemi pranë jush, familje, sepse kemi humbur 15 maturantë në lulen e rinisë. Si komunë, do të përkujdesemi gjithmonë që ta kujtojmë këtë ngjarje të dhimbshme për të gjithë ne”, u shpreh Kastrati.
Ai falënderoi institucionet e Shqipërisë, veçanërisht Bashkinë e Fushë Arrëzit dhe spitalin ushtarak, për ndihmën e dhënë në ato momente të rënda.
Në aksidentin e 14 tetorit 2004 humbën jetën Berat Suka, Esat Hajrullahu, Elgadaf Zabelaj, Mifail Morina, Rifat Hoxha, Xhevdet Sertolli, Visar Kafexholli, Agron Berisha, Ajet Rrahmanaj, Esat Rexhaj, Labinot Morina, Lulzim Kastrati, Megzon Sadiku, Rruhi Ulluri dhe Xhevdet Sahitaj.
Në vendin e tragjedisë, në Fushë Arrëz të Shqipërisë, është ngritur edhe një obelisk në nderim të 15 maturantëve.
Burimi: RTKLive
