Ndërrimi i komandës së KFOR-it, Italia paralajmëron  rol më të mëdh të institucioneve të sigurisë në Kosovë

Written by

in

Ministri i Mbrojtjes i Italisë, Guido Crosetto, ka qëndruar sot në Prishtinë, ku ka marrë pjesë në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, me ç’rast gjeneralmajori italian Roberto Vergori mori drejtimin e misionit të NATO-s në Kosovë.

Ministria e Mbrojtjes e Italisë ka publikuar fjalimin e Crosettos në këtë ceremoni, ku ai foli për objektivat e misionit dhe përshtatjen e pranisë së forcave të KFOR-it me zhvillimet e sigurisë në terren.

Crosetto paralajmëroi një rol më të madh të institucioneve të sigurisë së Kosovës në mbrojtjen e objekteve të ndjeshme dhe kontrollin e territorit, por theksoi se ky proces duhet të zhvillohet pa krijuar boshllëqe të sigurisë.

“Sfida do të jetë përshtatja e dislokimit të forcave me kushtet në terren, duke ruajtur një pozicionim të besueshëm dhe aftësinë për të parandaluar tensionet dhe për të ndërhyrë me shpejtësi. Përfshirja më e madhe e institucioneve të sigurisë së Kosovës në mbrojtjen e objekteve të ndjeshme dhe në kontrollin e territorit duhet të realizohet pa krijuar boshllëqe të sigurisë”.

Ministri italian tha se Italia merr sërish drejtimin e misionit të NATO-s në Kosovë në një periudhë delikate, të cilën e përshkroi si një kontekst sigurie “të qëndrueshëm, por të brishtë”.

“Detyra do të jetë garantimi i një mjedisi të sigurt dhe i lirisë së lëvizjes, duke mbrojtur të gjitha komunitetet dhe duke udhëhequr transformimin e pozicionimit të KFOR-it drejt një pranie më fleksibile, më pak statike dhe të përqendruar në zonat e ndjeshme”.

Crosetto rikujtoi se Forcat e Armatosura italiane janë të pranishme në Kosovë për më shumë se 25 vjet, duke kontribuar në garantimin e stabilitetit, si dhe në mbrojtjen e demokracisë dhe lirisë.

Ai theksoi se riorganizimi i pranisë së KFOR-it do të bëhet gradualisht dhe se procesi mund të kthehet pas, në varësi të situatës së sigurisë në terren.

“Riorganizimi do të jetë gradual dhe, në çdo rast, i kthyeshëm. Çdo hap do të varet nga kushtet e sigurisë, duke ruajtur mundësinë e përforcimit të pranisë ushtarake nëse është e nevojshme dhe duke garantuar efektivitetin e KFOR-it në mbështetje të stabilitetit të Ballkanit dhe Europës”.

Në përfundim të fjalimit, ministri italian i dëshiroi sukses gjeneralmajorit Roberto Vergori në detyrën e re, ndërsa shprehu mirënjohje për komandantin e deritanishëm të KFOR-it, gjeneralmajorin turk Özkan Ulutaş.

“I uroj suksese gjeneralmajorit Roberto Vergori, i bindur se do ta kryejë këtë detyrë me përkushtimin maksimal dhe me të njëjtin seriozitet që ka karakterizuar edhe paraardhësit e tij”.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

The post Ndërrimi i komandës së KFOR-it, Italia paralajmëron  rol më të mëdh të institucioneve të sigurisë në Kosovë appeared first on Sinjali.

Burimi: Sinjali