Juristja e mediave, Flutura Kusari, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë për caktimin e një muaji paraburgim ndaj Gani Gecit, i dyshuar për kërcënimin e gazetarit Lirim Mehmetaj.
Përmes një postimi, Kusari e ka vlerësuar vendimin si sinjal në mbështetje të sigurisë së gazetarëve dhe lirisë së medias.
Ajo ka theksuar rëndësinë e pavarësisë së gjyqësorit dhe të mbrojtjes së gazetarëve nga presionet dhe kërcënimet gjatë ushtrimit të profesionit të tyre.
“Ky është një sinjal i qartë nga Gjykata Themelore në Prishtinë në favor të sigurisë së gazetarëve dhe mbrojtjes së së drejtës së tyre për të ushtruar profesionin pa presione dhe kërcënime”, ka shkruar Kusari.
Ajo ka vlerësuar se vendimi tregon rëndësinë e gjyqtarëve të pavarur në mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe të medias.
Burimi: Dukagjini
