Policia e Shtetit përsërit apelin ndaj protestuesve: Distancohuni nga dhuna

Policia e Shtetit përsërit apelin ndaj protestuesve: Distancohuni nga dhuna

Written by

in

Policia dënon shkatërrimin me zjarr të pronës publike dhe private, si dhe dhunën ndaj punonjësve të saj, duke theksuar se çdo person që përfshihet në këto veprime do të mbajë përgjegjësi individuale përpara ligjit.

Autoritetet u kanë bërë thirrje protestuesve të ruajnë qetësinë, të mos mbështesin aktet e dhunshme dhe të largohen nga personat që rrezikojnë sigurinë publike.

“Nisur nga përshkallëzimi i dhunës ndaj punonjësve të Policisë dhe shkatërrimi me zjarr i pronës publike dhe private, Policia e Shtetit iu bën thirrje të përsëritura dhe të forta të gjithë pjesëmarrësve në tubim, të ruajnë vetëpërmbajtjen dhe qetësinë, si dhe të distancohen menjëherë dhe në mënyrë të qartë, nga personat që kryejnë akte dhune, djegie dhe sulme ndaj punonjësve të Policisë.

Policia e Shtetit kërkon që çdo pjesëmarrës të mos bëhet pjesë, të mos mbështesë dhe të mos lejojë që tubimi të përdoret si mbulesë për akte të dhunshme dhe shkatërruese. Çdo person që ushtron dhunë, djeg apo shkatërron pronën, ose sulmon punonjësit e Policisë, mban përgjegjësi individuale dhe do të përballet me ligjin, në përputhje me veprën e kryer”, thotë policia.

Policia paralajmëron gjithashtu se Kodi Penal parashikon dënime deri në 7 vite burgim për vepra të caktuara që lidhen me dhunën dhe shkatërrimin e pronës me zjarr, në varësi të rrethanave dhe pasojave të shkaktuara.

Sipas Policisë, veprimet e dhunshme përbëjnë rrezik të drejtpërdrejtë për jetën e qytetarëve, si dhe për pronën publike dhe private.

“Kodi Penal parashikon dënime deri në 7 vjet burgim për vepra të caktuara që lidhen me dhunën dhe shkatërrimin e pronës me zjarr, në varësi të rrethanave dhe pasojave të shkaktuara. Veprimet e dhunshme dhe shkatërrimi i pronës me zjarr rrezikojnë drejtpërdrejt jetën e qytetarëve, si dhe pronën publike dhe private. Distancohuni menjëherë nga dhuna, largohuni nga personat që kryejnë akte të dhunshme dhe mos u përfshini në veprime që rrezikojnë jetën e njerëzve! Ruajtja e qetësisë dhe e sigurisë është përgjegjësi e gjithsecilit.

E drejta për të protestuar është e garantuar, por dhuna dhe shkatërrimi nuk janë pjesë e saj. Çdo shkelje e ligjit do të trajtohet me vendosmëri dhe çdo individ do të mbajë përgjegjësi për veprimet e tij”, thotë policia.

Reagimi vjen në një kohë kur protesta në kryeqytet vijon mes tensioneve, incidenteve dhe përplasjeve mes protestuesve dhe efektivëve të Policisë.

Burimi: RTKLive