Ish-veprimtari Faton Topalli ka deklaruar se programi politik i Partisë Komuniste Marksiste-Leniniste Shqiptare në Jugosllavi (PKMLSHJ) ishte hartuar në vitin 1978, duke kundërshtuar pretendimet se ai ishte përgatitur në vitin 1980.
Në intervistën në Debat Plus në kuadër të ciklit Dosjet, Topalli ka thënë se programi përbëhej nga një dokument prej rreth 140 faqesh dhe se kërkesa kryesore ishte krijimi i një Republike Shqiptare brenda Jugosllavisë.
“Programi i PKMLSHJ-së është shkruar në një dokument prej diku 140 faqesh”, ka deklaruar Topalli.
I pyetur nëse programi ishte hartuar në vitin 1980, ai është përgjigjur: “Jo, nuk qëndron. Ky program është hartuar në vitin 1978”.
Topalli ka thënë se programi ishte shpërndarë në dokumente dhe ishte publikuar edhe përmes gazetave “Revolucioni” dhe “Zëri i Atdheut”, të cilat, sipas tij, partia i nxirrte në Kosovë në kushte ilegaliteti.
Ai ka treguar se strategjia fillestare e partisë ishte që kërkesën për Republikë ta adresonte te udhëheqja e Kosovës dhe ajo jugosllave.
“Ne konsiderojmë që ky problem nuk është i zgjidhur dhe ky problem mund të zgjidhet me krijimin e Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi”, ka thënë Topalli, duke iu referuar kërkesës politike të organizatës.
Sipas tij, dokumentet e partisë përmbanin edhe fazat e mëtejshme të veprimit, përfshirë organizimin e protestave, grevave dhe demonstratave, si dhe kalimin në luftë të armatosur nëse kërkesat nuk do të merreshin parasysh.
Topalli ka deklaruar gjithashtu se në vitin 1981, Sinan Hasani kishte folur për përmbushjen e veprimeve të parashikuara nga partia. Ai ka thënë se për këtë ekziston stenogrami i mbledhjes.
Burimi: Dukagjini
