
Gjykata e Lartë e Arabisë Saudite ka rrëzuar dënimin me vdekje ndaj një shtetasi 27-vjeçar nga Sri Lanka, i cili ishte dënuar për blasfemi ndaj Islamit dhe Profetit Muhamed pas një komenti të publikuar në Facebook. Vendimi u bë i ditur nga zëvendësministri i Jashtëm i Sri Lankës, Arun Hemachandra, i cili vlerësoi bashkëpunimin e autoriteteve saudite dhe përpjekjet diplomatike që çuan në rishikimin e çështjes.
I riu, Anojan Sivarasa, ishte dënuar me vdekje nga një gjykatë apeli saudite në shtator, pasi ishte shpallur fajtor për fyerje ndaj fesë islame dhe Profetit Muhamed. Çështja shkaktoi reagime të forta në Sri Lanka dhe shqetësime te organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke nxitur një fushatë intensive diplomatike për të shmangur ekzekutimin e tij.
Sipas të dhënave të bëra publike për rastin, ngjarja nisi në muajin qershor, kur Sivarasa u përfshi në një debat të ashpër në rrjetet sociale për çështje fetare. Gjatë diskutimit, ai dyshohet se publikoi në gjuhën e tij amtare, tamile, një koment fyes ndaj Profetit Muhamed, në përgjigje të një postimi që fyente një hyjni hindu.
Pas reagimeve, 27-vjeçari e fshiu komentin dhe kërkoi falje. Megjithatë, ai u arrestua në korrik dhe çështja e tij përfundoi në gjykatat saudite. Në shtator, gjykata e apelit vendosi dënimin me vdekje, një vendim që shkaktoi zemërim dhe shqetësim në mesin e qytetarëve të Sri Lankës, si dhe reagime nga organizatat që mbrojnë lirinë e shprehjes dhe të drejtat themelore të njeriut.
Zëvendësministri i Jashtëm i Sri Lankës, Arun Hemachandra, falënderoi autoritetet saudite për bashkëpunimin dhe theksoi se rrëzimi i dënimit ishte rezultat i përpjekjeve të vazhdueshme diplomatike dhe ligjore. Ai vlerësoi angazhimin e ambasadorit të Sri Lankës në Arabinë Saudite, zyrtarëve të ministrive përgjegjëse për marrëdhëniet me jashtë dhe punëtorët migrantë, si dhe ekipeve ligjore të të dy vendeve.
Edhe deputeti nga Sri Lanka, Faizer Mustafa, i cili ishte përfshirë në negociatat ligjore me autoritetet në Riad, konfirmoi për shërbimin në gjuhën sinhale të BBC-së se dënimi me vdekje ishte anuluar. Sipas tij, vendimi i Gjykatës së Lartë ishte ende në proces shqyrtimi.
Rasti ka tërhequr vëmendjen edhe të organizatës ndërkombëtare Human Rights Uatch, e cila ka kritikuar përdorimin e dënimeve të rënda në Arabinë Saudite për vepra që lidhen me shprehjen e mendimit. Organizata ka kërkuar që autoritetet saudite t’i japin fund përdorimit të ligjeve që, sipas saj, mundësojnë ndëshkime të tepruara për deklarata ose postime në internet.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Arabia Saudite rrëzon dënimin me vdekje ndaj 27-vjeçarit, u dënua për një koment në Facebook appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali