Skuadra nga Mitrovica ka vazhduar me paraqitje të mira në arenën evropiane, duke regjistruar fitoren e dytë radhazi në të gjitha garat, pas triumfit ndaj Vëllaznimit në fundjavë.
Pas një serie prej katër humbjeve radhazi, përfshirë ato në Superkupën e Kosovës, Superligë dhe në xhiron e parë të FIBA Europe Cup, “Xehetarët” janë rikthyer te rezultatet pozitive.
Ndeshja ndaj skuadrës kroate nuk ka nisur në mënyrën më të mirë për mitrovicasit, të cilët e kanë humbur çerekun e parë me rezultat 22:19. Megjithatë, ekipi i drejtuar nga trajneri Adis Beqiragiq ka reaguar në periudhën e dytë.
Trepça e ka fituar çerekun e dytë me rezultat 19:6, duke krijuar epërsi prej dhjetë pikësh në pushimin mes pjesëve. Në vazhdim, skuadra kosovare e ka menaxhuar mirë ndeshjen dhe nuk ka lejuar që Splitit t’i jepej mundësia për rikthim, për ta mbyllur takimin me fitore prej nëntë pikësh, 78:69.
Më i dalluari te Trepça ka qenë Kevin Bracy-Davis, i cili realizoi 18 pikë, gjashtë kërcime dhe një asistim. Për paraqitjen e tij, ai është vlerësuar edhe si lojtari më i mirë i ndeshjes.
Kontribut të rëndësishëm kanë dhënë edhe James Graham me 15 pikë dhe JaCori Payne me 12. Drilon Hajrizi dhe Mikaile Tmushiq kanë shtuar nga 11 pikë secili.
Te skuadra kroate, më efikasi ka qenë slloveni Matic Rebec me 15 pikë, dy kërcime dhe dy asistime.
Trepça do ta zhvillojë ndeshjen e radhës në FIBA Europe Cup më 21 tetor, kur në palestrën “Minatori” në Mitrovicë do ta presë skuadrën çeke BK Opava.
Para kësaj përballjeje evropiane, mitrovicasit do të luajnë të dielën, nga ora 17:00, në udhëtim ndaj Borës, në kuadër të xhiros së pestë të Superligës së Kosovës.
Ndërkohë, Bashkimi nuk ka udhëtuar drejt Anglisë për ndeshjen ndaj Manchesterit, për shkak të problemeve me dokumentacionin e vizave. Skuadra prizrenase, e cila bën pjesë në Grupin F, kishte fituar në ndeshjen e parë të kësaj gare.
Burimi: RTKLive
