
Ndërmarrja publike “Termokos” ka bërë të ditur se sezoni i ngrohjes për vitin 2026/2027 nis zyrtarisht sot, më 15 tetor, pasi janë përfunduar përgatitjet dhe janë plotësuar kushtet e nevojshme për funksionalizimin e sistemit.
Sipas ndërmarrjes, kryeshefi ekzekutiv, Bersant Beka, së bashku me menaxhmentin, ka vlerësuar gatishmërinë e sistemit për fillimin e sezonit të ri.
“Në bazë të këtij vlerësimi, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe kushtet klimatike, sezoni ngrohës 2026/2027 fillon zyrtarisht më 15 tetor për mbi 25 mijë konsumatorë të kyçur në rrjetin e ngrohjes së kryeqytetit”, thuhet në njoftimin e Termokosit.
Gjatë ditëve të fundit, ndërmarrja ka përfunduar punët përgatitore, ndërsa është nënshkruar edhe marrëveshja për furnizim me energji me Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK).
Termokosi ka bërë të ditur se, në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës dhe organet drejtuese të ndërmarrjes, është konfirmuar gatishmëria për nisjen e furnizimit me ngrohje.
“Për të garantuar sigurinë e pajisjeve dhe funksionimin e qëndrueshëm të sistemit, furnizimi me ngrohje do të nisë me kapacitet të kufizuar dhe do të rritet gradualisht, deri në stabilizimin e plotë të furnizimit për të gjithë konsumatorët”, thuhet më tej në njoftim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
The post Termokosi nis sot sezonin e ngrohjes për mbi 25 mijë konsumatorë appeared first on Sinjali.
Burimi: Sinjali