Rama pas protestës në Tiranë: Kushdo që është i përfshirë do të përballet me ligjin

Rama pas protestës në Tiranë: Kushdo që është i përfshirë do të përballet me ligjin

Written by

in

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar një ditë pas protestës së zhvilluar në Tiranë, përmes një video-mesazhi të publikuar nga ambientet e dëmtuara të Kolegjit të Europës në kryeqytet.

Rama ia atribuoi dëmet e shkaktuara gjatë protestës opozitës, duke theksuar se ato nuk përfaqësojnë studentët. Ai tha se qeveria është e gatshme të dialogojë me studentët dhe të diskutojë për gjetjen e zgjidhjeve për kërkesat e tyre.

Kreu i qeverisë i cilësoi orët e fundit si të vështira për Tiranën dhe Shqipërinë, ndërsa paralajmëroi se personat përgjegjës për dhunën do të përballen me ligjin.

“Kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe s’mund të jenë duart e studentëve. Studentët janë e ardhmja dhe ata që shohin larg. Studentët janë të mirëpritur dhe me ta ne jemi gjithnjë gati të ulemi të flasim, të diskutojmë dhe të gjejmë zgjidhje për gjërat që kërkojnë zgjidhje”, deklaroi Rama.

Ai akuzoi opozitën se, përmes dhunës, po përpiqet ta pengojë rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian (BE).

Sipas Ramës, dëmet në ambientet e Kolegjit të Europës janë simbol i asaj që Tirana dhe Shqipëria kanë përjetuar gjatë protestës. Ai shtoi se vendi do të vazhdojë rrugën drejt integrimit evropian dhe nuk do të kthehet prapa.

“Kush mendon që ligji është larg gabon. Gjithkush që ka dorë në këtë katrahurë do të paguajë, sepse Shqipëria s’do të kthehet më kurrë pas”, u shpreh kryeministri.

Reagimi i Ramës vjen në ditën kur Kuvendi i Shqipërisë pritet të mbajë seancë plenare rreth orës 10:00, ndërsa studentët dhe gjimnazistët kanë paralajmëruar një protestë tjetër.

Burimi: Dukagjini