Dy anije tregtare fundosen pranë Ngushticës së Hormuzit pas sulmeve me predha

Dy anije tregtare fundosen pranë Ngushticës së Hormuzit pas sulmeve me predha

Written by

in

Dy anije tregtare, një anije kontejnerësh dhe një transportuese mallrash të thata, janë fundosur pranë Ngushticës së Hormuzit brenda 24 orëve, pasi u goditën nga predha në dy incidente të ndara.

Ngjarjet janë bërë të ditura të mërkurën nga zyrtarë të sigurisë detare, në një kohë kur sulmet ndaj transportit detar në këtë zonë strategjike janë intensifikuar, shkruan Reuters, transmeton Dukagjini.

Anija GFS Pride, me flamur të Singaporit dhe kapacitet prej 2.824 TEU, u fundos pasi pësoi dëmtime dhe shpërtheu zjarr në bord. Sipas Autoritetit Detar dhe Portual të Singaporit (MPA), të 21 anëtarët e ekuipazhit u evakuuan në mënyrë të sigurt, ndërsa nuk u raportuan të lënduar.

Anija ishte duke kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit të martën, kur ndodhi incidenti. Menaxheri i saj, kompania GFS Ship Management FZE, me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe, nuk ishte menjëherë i arritshëm për koment.

Në një incident tjetër, u fundos edhe anija Cape Dao, me flamur të Antiguas dhe Barbudës. Sipas të dhënave të Organizatës Ndërkombëtare Detare (IMO), anija ishte goditur nga një predhë më 23 shtator, ndërsa fundosja u konfirmua të mërkurën.

Nga ky incident, një anëtar i ekuipazhit humbi jetën, ndërsa pjesa tjetër e personelit ishte evakuuar menjëherë pas goditjes. Kompania menaxhuese e anijes, Peonies Shipmanagement FZE, me seli në Emiratet e Bashkuara Arabe, nuk ishte e disponueshme për koment.

Sipas analizës së të dhënave të IMO-s, GFS Pride dhe Cape Dao janë anijet e dyta dhe të treta që janë fundosur që nga fillimi i luftës mes SHBA-së dhe Iranit, më 28 shkurt.

Autoriteti Detar dhe Portual i Singaporit shprehu shqetësim të thellë për sulmet e vazhdueshme ndaj anijeve tregtare në Ngushticën e Hormuzit, duke i cilësuar ato si të pajustifikueshme dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

Ndërkohë, kompania e menaxhimit të rrezikut detar MARISKS paralajmëroi se incidentet e fundit dëshmojnë se kërcënimi ndaj transportit detar mbetet i lartë. Sipas saj, rreziku nuk kufizohet vetëm te cisternat e naftës, pasi edhe anijet e kontejnerëve dhe transportueset e mallrave të thata po pësojnë dëme serioze.

Sulmet në zonën e Ngushticës së Hormuzit janë shtuar gjatë dhjetë ditëve të fundit. Irani ka deklaruar se po intensifikon goditjet në përgjigje të bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane dhe sanksioneve më të ashpra të vendosura muajin e kaluar.

Ngushtica e Hormuzit është një nga korridoret më të rëndësishme detare në botë për transportin e energjisë dhe mallrave. Përshkallëzimi i sulmeve ndaj anijeve tregtare rrit shqetësimet për sigurinë e ekuipazheve dhe vazhdimësinë e furnizimeve ndërkombëtare.

Burimi: Dukagjini