Ka nisur me gjysmë ore vonesë seanca e radhës plenare e Kuvendit të Kosovës, e paraparë të fillojë në orën 10:00.
Në rend të ditës janë shtatë pika, përfshirë përzgjedhjen e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e anëtarëve të Bordit të RTK-së dhe propozimin e Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare.
Deputetët do të shqyrtojnë edhe në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Rendi i ditës:
- Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme;
- Deklarimet jashtë rendit të ditës;
- Pyetjet parlamentare;
- Përzgjedhja e dy anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës;
- Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë nga komuniteti shqiptar, një anëtar nga komuniteti serb dhe një anëtar nga komunitetet joshumicë në Bordin e Radiotelevizionit të Kosovës;
- Propozimi i Grupit Parlamentar të Listës Serbe për emërimin e deputetëve në komisionet parlamentare;
- Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 11/L-017 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-096 për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
Burimi: Dukagjini
